Lacio tashmë është kthyer zyrtarisht në një skuadër të madhe në futbollin italian dhe këtë e vërteton jo vetëm pozita në klasifikim, por edhe fakti se po mund rregullisht një superfuqi si Juventusi.

Ndaj fitorja e SuperKupës së Italisë përballë bardhezinjve me siguri i ka shijuar shumë Igli Tares, arkitektit të këtij suksesi, projektet e të cilit shpeshherë vihen në diskutim në fillim të sezonit, por që zakonisht sjellin fitore nga më të bujshmet.

Ndaj pas një suksesi të tillë siç ishte ai sot ndaj Juventusit me shifrat 3-1, Tare ka thumbuar pikërisht të gjithë ata që kritikonin ekipin e ktheheshin në tifozë të tij vetëm në raste suksesesh. “Kemi ndërtuar diçka të gjithë bashkë. Një persin i vetëm nuk mund të bëjë asgjë.

Kjo është fitorja e një grupi të madh, i një pune të gjatë prej shumë vitesh dhe shpresoj që të jetë fillimi i një rrugëtimi të madh. Do të rritemi hap pas hapi pasi me kalimin e viteve rritet edhe eksperienca”, tha drejtuesi shqiptar.

“Ku e di që ke bërë një punë të madhe, kjo është gjëja që të bën më shumë besimplotë në të ardhmen dhe te rezultatet. Ky është një trofe të cilin dua t’ua dedikoj edhe kërpudhave që dalin pas shiut.

Kjo fitore është edhe për ata, që të mos hipin në karron e fituesve vetëm kur fitohet, por sidomos kur humbet pasi skuadra ka nevojë për njerëzit sidomos në ato momente”, ishte kritika e Tares për të gjithë ata që kishin qenë mosbesues ndaj projektit të Lacios e nuk kishin reshtur kritikat gjatë vështirësive të fillimit të sezonit. /vipsport/