Shumëkush sheh Lacion në këtë sezon si skuadrën e vetme që mund t’i afrohet deri diku dyshes Juve-Inter që po duelojnë për titullin kampion në Serinë A.
Por drejtuesi shqiptar i bardhekaltërve, Igli Tare, shprehet qartësisht se për momentin në klub nuk e shohin këtë si prioritet në strategjinë që kanë zgjedhur të ndjekin.
“Titulli kampion nuk është një fjalë që na frikëson. Por kemi objektiva të tjerë për të arritur. Pastaj nëse 4-5 javë para fundit e shohim veten në luftë për titull, atëherë nuk do të fshihemi dhe do të dëshironim edhe ta fitonim.
Por e shoh shumë të parakohshme sot këtë diskutim. Kush e do të mirën e Lacios, duhet të jetë i kujdesshëm me gjërat që thotë”, deklaroi ai, duke nxjerrë jashtë luftës për trofeun skuadrën e tij, të paktën për momentin.
“Lacio duhet të japë një përgjigje me përulësi të madhe, tani pritshmëria ka ndryshuar por diskutimet e bëra në ditët e fundit janë të papërshtatshme.
Forca jonë është që jemi të ndërgjegjshëm për punën që është bërë në vitet e fundit dhe se ky grup ka talent dhe forcë. Këtë vit duhet të ecim para hap pas hapi, duke mbajtur këmbët në tokë”, ishin fjalët e drejtuesit shqiptar. /vipsport/