Igli Tare ishte i ftuar në emisionin “Galeri” në “Top Channel” për të dhënë një rrëfim për jetën dhe karrierën e tij. Sigurisht që në këtë rrëfim nuk mund të mungonte një nga ndeshjet më të veçanta të zhvilluar me fanellën kuqezi, atë kundër Greqisë në vitin 2004. Tare ka treguar një prapaskenë me kapitenin e grekëve, me të cilin asokohe ishte shok skuadre te Bolonja.
Ish-sulmuesi shqiptar ka thënë se e kishte paralajmëruar Zakoraqisin për atmosferën në Tiranë, por ai nuk e kishte besuar. Por ish-kapiteni i Greqisë ndërroi mendim kur u gjend në Tiranë. Tare zbulon se përpara fillimit të ndeshjes, Zagoraqisi i shprehu befasinë e madhe për atmosferën e zjarrtë të tifozëve. Madje, aq shumë sa do të dëshironte që në atë natë të mbante veshur fanellën kuqezi.
“Ajo fitore ka qenë një fitore legjendare. Jo vetëm për faktin që ishin kampionët e Europës, por edhe ditur atë konkurrencën mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në atë periudhë, Zagoraqis, kapiteni i grekëve, ishte shok skuadre në Bolonja. Ishim shokë dhome. Mungonin edhe 47 ditë (nga ndeshja), edhe çdo ditë që e shikoja i thoja: ’47, 46, 45…’. I thoja: ‘Mbaje mend çfarë do të të presi në Tiranë ty’. Më thoshte: ‘Hajde Igli, çfarë do të na ndodhë. Ne jemi mësuar. Ti s’e ke i idenë, ne kemi Olimpiakosin, kemi PAOK-un’. I thashë që jeni mësuar, por nuk jeni mësuar me ne.
Mbaj mend ditën e ndeshjes, kur futemi për të parë fushën përpara ndeshjes, ka qenë një energji… Ai ishte në mesin e fushës dhe vjen drejt meje. Më tha: ‘Uau Igli, çmenduri. Çfarë ndodhi këtu?! Nuk do e besoja kurrë, sepse kemi që në mëgjes përpara hotelit tonë vetëm një fushë të kuqe me tifozë. Çfarë mrekullie. Do të doja edhe unë të isha me fanellën tuaj, sepse është shumë emocionale’”, ka treguar Igli Tare