Mauro Ikardi dëshiron rikthimin në Itali. Sulmuesi argjentinas i ka komunikuar klubit të PSG-së vendimin e tij për një largim të mundshëm nga kryeqyteti francez.

Pavarësisht 32 golave në 60 ndeshje, Ikardi nuk ndihet protagonist në skuadrën e Mauricio Poçetinos dhe Leonardo është i gatshëm të dëgjojë ofertat në drejtim të tij, pasi do të ishte një frymëmarrje për financat duke parë sesa peshon rroga e ish-kapitenit të Interit.

I vetëofruar tek Milani – Ikardi i është vetëofruar skuadrës së Milanit. Agjentja dhe njëkohësisht bashkëshortja e yllit argjentinas, Vanda Nara po gjen mundësinë e një rikthimi në Milano.

Paga prej 9 milionë euro në sezon është shumë për financat e klubit të Milanit, por gjithsesi ende nuk është thënë fjala e fundit.

Drejtuesit kuqezi me në krye Masarën dhe Maldini po e rishohin këtë mundësi, dhe palët mund të bisedojnë pas disa javësh për të kuptuar nëse klubi parizien mund të japë dritën jeshile për një huazim dhe duke kontribuar për pagesën e rrogës së Ikardit.