Klevis Dalipi nuk është më trajneri i Apolonisë. Pas vetëm tre ndeshjeve në Kategorinë e Parë, Dalipi është larguar nga skuadra duke konfirmuar gjithçka në rrjetet sociale.

“Projekt i papërfunduar. Një falenderim për impenjimin dhe seriozitetin e treguar nga ju djema. Suksese, jeni më të mirët”, shkruan Dalipi. Hije shkarkimi nga fjalët e trajnerit, që në tre takime siguroi 4 pikë, me një fitore, një barazim dhe një humbje.

I afruar te fierakët verën që lamë pas, Dalipi nuk e drejtoi ekipin në më shumë se tre ndeshje. Duket se humbja e tre ditëve më parë me Besën në Peqin 2-1, ka bërë që për trajnerin të ketë masa drastike.

Në karrierën e tij, 46 vjeçari nga Elbasani ka drejtuar skuadra si Partizani, Luftëtari, Korabi dhe Tomori, nderkohe qe ka patur edhe nje karriere te suksesshme si futbollist duke luajtur me disa skuadra te njohura, nder te cilat edhe me Vllaznine.