Larg mediave, larg njerëzve, është prezantuar paraditen e sotme administratori i ri i klubit të futbollit Vllaznia. Ai është Fatos Gjyrezi. Ish-punonjësi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitet e fundit, njeriu që ka mbajtur vite më parë edhe postin e nënkryetarit të Bashkisë Shkodër por edhe të prefektit të Gjirokastrës, nga dita e sotme ka zënë vendin e Kujtim Shabës në krye të klubit shkodran. Prezantimi i administratorit të ri të Vllaznisë është bërë nga kryetari i bordit mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia, Ritvan Troshani. Ai ka vlerësuar njëkohësisht edhe punën e bërë dhe kontributin e dhënë nga ish-administratori Shaba dhe ka bërë të ditur se shumë shpejt ai do të emërohet në një funksion tjetër. Më pas Troshani ka thënë se emërimi i Gjyrezit në krye të klubit shkodran është bërë me qëllim të përmirësimit të mëtejshëm juridik, ekonomik dhe menaxherial të klubit.


Për Gjyrezin tashmë nis një përvojë e re dhe natyrisht një sfidë më vete pasi për herë të parë në jetën e tij do t’i duhet të drejtojë një klub futbolli megjithatë ai nuk është dukur aspak i trembur nga kjo gjë por ka premtuar se do të bëjë më të mirën për të rritur emrin e Vllaznisë. Administratori i ri që në takimin e parë me stafin e tij madje nuk ka ngurruar të japë edhe ndonjë ide të parë se çfarë do të ndryshojë në drejtimin e klubit. Në këtë mënyrë, tashmë klubi shkodran ka një detyrë të re duke i dhënë fund administrimit disamujor të tij nga Kujtim Shaba i anatemuar jo pak në media apo në opinionin sportiv, për mënyrën e drejtimit të punës duke marrë shpeshherë edhe kritika të pamerituara. Megjithatë tashmë është tjetër histori në krye të klubit shkodran dhe për Fatos Gjyrezin është një sfidë që duhet fituar.
www.shkodrasport.com