Skuadra shkodrane nuk heq dorë nga kërkesa e tyre për gjetjen e një tjetër portieri cilësor. Pas largimit të kosovarit Avdyli pak ditë më parë, ka ardhur edhe një tjetër largim i portierëve që kishin ardhur për provë tek kjo skuadër. Bëhet fjalë për suedezin Niklas Uddenas. Ai ka qëndruar vetëm dy ditë në stërvitje dhe kjo i ka mjaftuar stafit teknik për të dhënë mendimin e tij se 30 vjeçari nuk gëzonte formë të mirë ngaqë kishte disa muaj pa skuadër dhe për këtë arsye, kanë vendosur ta largojnë atë.

Pasditen e sotme, Uddenas nuk ka qenë i pranishëm në stërvitje dhe nesër pritet të largohet përgjithnjë nga Shqipëria. Megjithatë vendin e tij e ka zënë një tjetër portier i ardhur për provë. Ai është maqedonasi Daniel Bozinovski. Futbollisti që vetëm pak ditë më parë ka mbushur 27 vjeç, vjen nga ekipi Rabotniçki i vendit të tij dhe tashmë është duke kërkuar për një përvojë të re jashtë vendit. Në karrierën e tij ky portier ka luajtur edhe me ekipet e Sileks dhe Bregalnica. Maqedonasi do të qëndrojë për disa ditë në provë dhe në fund do të jetë stafi që do të vendosë edhe për të.Ndërkohë, në stërvitjen e kuqebluve vazhdon të jetë i pranishëm edhe portieri malazez Jasmin Agoviç që përgjithësisht po paraqitet mirë megjithatë stafi i Vllaznisë nuk po ngutet për të dhënë vendimin përfundimtar ngaqë po vijnë njëri pas tjetrit disa portierë për t’u provuar.
© shkodrasport.com