E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madrid nuk është plotësisht e qartë. Edhe pse anësori brazilian e ka përsëritur disa rë dëshirën e tij për të vazhduar me “Los Blancos”, ku synon të fitojë trofe të tjerë, ofertat nga Arabia Saudite vazhdojnë të vijnë, duke krijuar njëfarë pasigurie për të ardhmen e tij.
Drejtuesit e Real-it nuk parashikojnë largimin e tij gjatë verës së ardhshme, vetëm nëse vetë lojtari vendos të bëjë një ndryshim në karrierë dhe të pranojë ofertat fitimprurëse të ardhura nga klubet arabe.
Përballë këtij skenari, Real Madrid tashmë po shqyrton opsionet për të forcuar sulmin në rast se Vinicius Junior vendos të largohet vërtet në verë. Sipas informacioneve të “Gol Digital”, i përzgjedhur i Real-it për të zëvendësuar në mënyrë ideale brazilianin është sulmuesi i rivalit historik, Julian Alvarez i Atletico Madrid-it.
Profili i Alvarez do të përshtatej në mënyrë të përkryer në skuadrën e Carlo Ancelotti-t, pasi ai është një sulmues me lëvizshmëri të madhe, inteligjencë taktike dhe një aftësi mbresëlënëse për të shënuar. Argjentinasi shihet si partneri ideal në sulm për Kylian Mbappe.
Gjithsesi, duket e vështirë që Atletico të heq dorë nga sulmuesi i saj, aq më tepër ta lejojë të largohet drejt rivalit historik./telesport/