Rivalë në fushë, por miq jashtë saj. Por nuk është miqësia mes Igli Tares dhe Alesandro Kostakurtës që ka ka qenë temë në intervistën e ish-mbrojtësit të Milanit për “La Gazzetta dello Sport”. Në fakt, fokusi ka rënë mbi nevojat e kuqezinjve, duke nisur që nga drejtori sportiv e deri te merkato.
A është Tare profili i duhur për rolin e drejtorit të Milani?
Gjëja e duhur është, para së gjithash, të integrosh atë lloj figure në strukturën e klubit. Jo vetëm si referencë për fushën teknike, apo si njeri i merkatos, por për të gjitha zgjedhjet strategjike të klubit. Besoj se në dy vitet e fundit ka munguar dikush me këto kompetenca. Dhe Tare ka treguar tashmë se di ta bëjë punën e tij shumë mirë.
Ndër emrat e përfolur, a është ai i shqiptarit më i afti?
Të gjitha profilet që lidhen me Milanin, janë absolutisht të përshtatshme. Pavarësisht se kush zgjidhet, e rëndësishme është që klubi ka vendosur t’i bëjë gjërat siç duhet, me njerëz që mund ta ndihmojnë atë sektor të klubit.
A mund të jetë e dobishme për ekipin të pasurit një drejtor sportiv?
Ibra është tashmë atje për të folur me ekipin dhe ai e njeh në mënyrë të përsosur dinamikën e grupit. Ekziston nevoja për një referencë më të gjerë të menaxhimit. Vetë Maldini bëri disa gabime në fillim, por Paolo diti të mësojë me shpejtësi befasuese. Të tjerë, në vitet e fundit nuk e kanë bërë diçka të tillë. Duke u rikthyer te Tare, ai është një ekspert futbolli, si pak të tjerë.
Si e shihni Alegrin si trajnerin e ri të Milanit?
Skuadra aktuale do të ishte perfekte për të. Dhe Masimiliano është një garanci, nëse doni të ktheheni menjëherë konkurrues. Në të njëjtën kohë, e pranoj se nuk jam tamam i dashuruar me atë që ofron. Unë preferoj një trajner ‘spektakli’, i cili ofron një ekip që komandon në gjysmën e fushës kundërshtare. Kjo është ajo që duan të shohin gjithmonë tifozët e Milanit, sidomos kur duhet edhe t’u ngacmohet entuziazmi. Dhe, pastaj, loja e bukur është pjesë e historisë së Milanit.
Po në merkato, çfarë duhet të kërkojnë kuqezinjtë?
Dua të them fillimisht se vetë merkato e janarit tregon dëshirën e Milanit për t’u përmirësuar, ka pasur një angazhim të fortë nga drejtuesit dhe pronësia. Lojtarët e blerë, pavarësisht performancës së tyre aktuale, e konfirmojnë këtë. Gimenezin do ta vlerësojmë më mirë më vonë. Edhe Uoker është një lojtar që mund të jetë i dobishëm për çdo ekip në Europë.