Pas eliminimit të shpejtë nga Liga e Konferencës dhe disa ditëve pushim, Vllaznia rinisi dje përgatitjet për sezonin e ri, që fillon më 18 gusht. Skualifikimi që në turin e parë të kompeticioneve europiane dhe sidomos ajo humbje turpëruese në Shkodër, kanë lënë një shije të keqe në ambientin futbolldashës kuqeblu.
Madje tashmë ka edhe jo pak skepticizëm për Vllazninë e sezonit të ri, nëse mund të jetë në nivel të lartë për të pretenduar titullin, apo jo. Lëvizjet në merkato kanë qenë të rëndësishme, me afrime si Gurishta, Deliu, Kahrimanoviç, Qato e Bajrami, ndaj dhe në parim skuadra kuqeblu duhet të bëjë më mirë se sezonin e shkuar.
SHQETËSIMET – Skuadra, sipas trajnerit Tomas Brdariç, gëzon një formë të mirë fizike. Përjashtim bëjnë vetëm dy futbollistë dhe bëhet fjalë për ata që mbulojnë linjën e majtë të formacionit, Gruda dhe Bajrami. Ildi Gruda ende nuk është në 100% të formës së tij për shkak të një dëmtimi që e ka shoqëruar që nga fundi i sezonit të shkuar.
Shqetësim ky që e la sulmuesin shkodran jashtë dueleve me Valurin në Ligën e Konferencës. Për autorin e 8 golave sezonin e shkuar shpresohet rikuperimi i plotë para nisjes së kampionatit. Ai është bashkuar së fundmi me ekipin në stërvitje, ndaj dhe stafi beson se do ta ketë në dispozicion në nisjen e Superiores.
Ai që e shqetëson më shumë trajnerin e Vllaznisë është Melos Bajrami. Mbrojtësi i afruar në merkaton e verës ka pësuar një dëmtim para ndeshjes së kthimit kundër Valurit, që do ta lërë jashtë fushave për 4-5 javë, kështu që nuk do të jetë gati për ndeshjen e parë të kampionatit. Në anën tjetër, Flori Spahija, i cili është rikthyer dhe është 100% gati, mund të ketë shansin të luajë si titullar. Kjo Vllazni duket ende në ndërtim e sipër për sezonin e ri dhe në vazhdim mund të ketë ndonjë afrim tjetër, në mënyrë që skuadra të jetë sa më e kompletuar për një sezon të gjatë.