Ildi Gruda ishte vendimtar për Vllazninë me golin e shënuar në fundin e ndeshjes kundër Teutës. Sulmuesi shkodran po kthehet nga ndeshja në ndeshje protagonist me skuadrën kuqeblu.

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai ka folur ekskluzivisht pas fitores ndaj durrsakëve, duke u shprehur i lumtur për pikët dhe golin, për të cilin ka një dedikim të veçantë. Gruda ka lënë pas dëmtimin që e mbajti jashtë fushave për një kohë të gjatë dhe tani po rezulton shumë i rëndësishëm për skuadrën e Brdariç.


Gruda, një fitore e rëndësishme në limitet e ndeshjes me Teutën…

Ishte një fitore e vuajtur, Teuta na e bëri të vështirë, sepse edhe ajo ka ekip të mirë. Jam i lumtur për këtë fitore, pasi para publikut tonë nuk mund të linim pikë. Po ashtu, skuadra vijon me rezultatet pozitive në këto javë dhe kjo na gëzon.

Një dedikim për golin?

Golin ia dedikoj vajzës sime, që ka ardhur në jetë para pak javësh. Ky gol shkon për të dhe patjetër gjithë familjen time.