Ballkani për të dytin vit radhazi në grupet e Conference League. Kampionët e Kosovës përmbushën pritshmëritë, duke e eliminuar BATE Borisovin në fazën play off me rezultatin e përgjithshëm 4-2.
Skuadra e Ilir Dajës e administroi mirë epërsinë e thellë të sfidës së zhvilluar në “Fadil Vokrri”, duke pësuar vetëm një herë në Budapest, në sfidën e kthimit. Padyshim që merita më e madhe për këtë kualifikim i shkon trajnerit Ilir Daja i cili është dhe arkitekti i kësaj historie suksesi me skuadrën nga Suhareka. Pas ndeshjes së sotme, trajneri nga Tirana dha një intervistë speciale për gazetarin Arlind Sadiku, ku deklaroi:
“Është një ëndërr e çmendur, brenda një viti në Europë, kemi kaluar për herë të dytë në grupet e Ligës së Konferencës. E gjithë merita iu shkon lojtarëve, sado që kemi shitur, kemi Emërllahun e dëmtuar, prapë lojtarët e vjetër me eksperiencë, bënë që të mos ndihej mungesa dhe vakumi i të larguarve. Janë ata që na çuan neve sot për herë të dytë në grupet e Ligës së Konferencës.
Ky urim i shkon gjithë Suharekës, Ballkanit, tifozëve tonë, ky urim i shkon gjithë Kosovës, se në fund fare, neve sot kemi prezantuar gjithë futbollin e Kosovës. Ndihem i përulër përballë çdo tifozi kosovar që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim tonë. Më erdhi shumë keq që edhe Partizani edhe Struga nuk u kualifikuan, prandaj nuk e zgjerova më shumë urimin.
Duhet ta provosh që ta kuptosh sa e vështirë është. Është një ngarkesë e jashtëzakonshme. Vjet ka qenë një ngarkesë tmerrësisht e pallogaritshme. Kanë qenë 33 javë të ngjeshura në 4 muaj. 12-13 veta kanë mbajtur ngarkesën kryesor. Lojtarët e sapoardhur duan kohën e vetë për t’u përshtatur.
Megjithëse sot jemi në festë, mendjen e kam të qetë, në qoftë se kam cituar që ndonjëherë lojën në Ludogorets, nuk e kam thënë që si duhet të bëjmë në fazën mbrojtëse apo si do të bëjmë në fazën e sulmit. Nëse duam ta ngremë futbollin në Kosovë nuk fillon analiza fare tek taktika apo në ndonjë vend tjetër. Analiza fillon tek komplekset stërvitore.
Nëse duam të përballemi me ekipe si Ludogorets apo një nivel që është më lartë rajonit tonë, duhet të zhvillojmë infrastrukturën për ekipet e para dhe shkollat. Duhet të jemi më të organizuar në klub, për t’u matur teknikisht apo taktikisht me ekipe si Ludogorets. Edhe këtu në një qytet fare të vogël ekipi vendas ka 4 fusha stërvitore me bar natyral.
Nëse duam të bëjmë një hap tjetër, nuk mund ta bëjmë në qoftë se nuk përmirësojmë infrastrukturën. I del për detyrë shtetit dhe FFK-së, por edhe investitorëve, që në qoftë se duan të zhvillojnë futbollin në Kosovë, të zhvillohet infrastruktura. Nuk mund të nxjerrim notarë, në qoftë se nuk kemi pishinë.
Kur kemi luajtur me Ludogorets, iu thashë lojtarëve ju jeni më të mirë se ata sepse në kushtet që jemi ne, asnjë nga lojtarët e Ludogorets nuk do vinte të luante në Kosovë.
Në dijeninë time nga Ballkani janë ftuar 3 futbollistë, një është momentalisht, një u shkëput para 2 javësh edhe një tjetër para 6 muajsh. Më vjen mirë që u thirr dhe Korenica, të cilin nesër mund të mos e kemi më pjesë të grupit, pasi do largohet dhe do na përfaqësojë denjësisht si lojtarët e tjerë. Më vjen mirë edhe për Rrahmanin dhe Krasniqin që janë grumbulluar. Në fund fare i kanë shërbyer edhe Kosovës.
Këtë sukses ia dedikoj trajnerëve të Kosovës, në çdo lloj kategoria qofshin, edhe me grupmoshat, sepse e di që është vështirë të punohet. Në veçanti ia dedikoj edhe tim biri që ka qenë një suport shumë i madh dhe është kënaqësi kur asistent ke djalin, urime Kosovë, urime Ballkanit”, përfundoi Ilir Daja.