Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka theksuar se pret ndërhyrje në merkato nga klubi në të ardhmen për të plotësuar kontingjentin e ekipit. Në “SuperSport” ai foli gjithashtu edhe zërat për kontakte me Tiranën.
“Ajo që na penalizoi sot, përveç faktit që loja ishte e dobët. Besoj se ishte mosfinalizmi i rasteve në pjesën e parë që mund t’i jepnin qetësi ekipit. Ajo e protestës nuk ka ndikuar, një ditë rikuperohet shpejt me ndërhyrjen e presidentit, nuk ka efekt ajo ditë në këtë lojë që zhvilluam sot.
Dua ta shoh gotën jo vetëm gjysmë bosh, se janë dy humbje radhazi pas dy fitoresh radhazi, sot kishim mungesa përveçse në mbrojtje, iu shtua edhe Dita, dalja e detyruar e Ndeki, për të kaluar Dajën në të djathtë. Ajo që më vjen keq është që pësojmë gola shumë të lehtë, të evitueshëm, megjithatë dua të mbledhim forcat që këto ndeshje që kanë mbetur të fillojmë të reagojmë se përndryshe pastaj do ta kemi të vështirë.
Natyrshëm që duket që kemi probleme në repartin e mbrojtjes, por ajo që duhet të korrigjojmë është që duhet të jemi më fanatik që i gjithë ekipi të marrë pjesë në fazën e mbrojtjes e disa lojtarë që janë cilësorë, duhet të marrin përsipër ekipin. Nuk është se shmang përgjegjësitë, se ky ekip drejtohet nga unë, por në fund fare kjo është situata.
Ekipi ka lojtarë, por duhet të ulemi me presidentin për të biseduar për vazhdimësinë se nëse duam të bëjmë kalimin e kësaj situate, duhet një kontingjent me më shumë lojtarë në reparte të ndryshme.
Ajo që e vështirëson më shumë situatën është gjendja e dënimit që ka marrë që patjetër rëndon anën e motivimit të ekipit. Por edhe mungesa e lojtarëve në role natyrale na e vështirëson, do të përpiqemi që me kontingjentin që kemi në dispozicion, duke bërë disa përforcime të tregojmë fytyrën më të mirë të Skënderbeut, jo atë të ciklit të suksesshëm.
E vërteta është që nuk kam asnjë lloj kontakti me Tiranën, meqë m’u bë një pyetje që kam takuar këtë apo atë person. Nuk kam si të kem meqë jam trajner i Skënderbeut.
E rëndësishme është të mbarojmë këto ndeshje, duke filluar nga ajo me Luftëtarin, goxha e vështirë për momentin që ndodhet ekipi. Pastaj të ulemi për të parë se si do të procedojmë për pjesën tjetër të kampionatit se duhet patjetër që të kemi ndërhyrje”, tha Daja. /vipsport/