Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, theksoi pas barazimit ndaj Teutës se ishte i lumtur që mori të paktën një pikë në këtë ndeshje ku ekipi i tij thuajse nuk u pa asnjëherë rrezikshëm në sulm.

“Po ta marr në total, do të them që jemi të kënaqur me pikën për atë që prodhuam se Teuta ishte më kërkuese se sa ne, pati disa situata para portës. Ndërsa ne sot nuk po na funksiononte, ndoshta ngaqë kemi pasur ndeshje në mesjavë, mungesave u shtohej Bregu. Por nuk justifikon pasi kemi kontingjentin e lojtarëve që të paktën të luajmë futboll. Por si shkoi ndeshja edhe unë po mendoja që një pikë në Durrës do të ishte më e mirë se sa të shkonim me humbje.

Pa i hequr meritat Teutës se ishte më lart se ne në këtë ndeshje, por ajo që mungoi ishte se nëse nuk ke pasime në zonat e ndërtimit, pastaj natyrshëm nuk mund të flasësh për taktikë, se gjuha e futbollit është pasimi. Për të shkuar te manovrat, ne sot nuk kishim pasim por vetëm ndryshimin e kahut të lojës, në mesfushë ishim të varfër se mungonin pikat para, nuk kishim pika pasimi. Ndoshta edhe për meritë të kundërshtarit, por lojtarët tonë me nivel teknik të mos posedojmë topin, është problem që nuk shkon më të flasësh për taktikë.

Nuk e kemi hequr këmbën nga gazi, por kem pasur stacione ku na kanë zbritur lojtarë me dëmtime apo me temperatura apo viruset e stinës. Sot na mungonte edhe Bregu, kur mungojnë 6-7 lojtarë të formacionit, sado të mbash këmbën te gazi, xhirot janë të avashta. Besoj që nga java tjetër të na kthehen disa lojtarë, duke shpresuar që të mos na sëmuret ndonjë tjetër, por me plotësimin e kontingjentit do të kthehemi me atë këmbën në gaz. Me Vllazninë? Shpresojmë të na kthehet një apo dy lojtarë”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.