Ilir Daja ka folur pas ndeshjes mes Dinamos dhe Skënderbeut, të cilën blutë e fituan me rezultatin 4-0. Pas këtij triumfi që i kualifikoi në gjysmëfinalen e Kupës, Daja u shpreh:

“Natyrshëm që nëse shkon në gjysmëfinale është kënaqësi. Në momentin që jemi duhet të shikojmë dhe rikuperimin e lojtarëve. Kualifikimi ka gjënë e mirë se me 2-3 ndeshje merr trofeun, por dhe problem tjetër që për momentin e kemi pak shqetësues. Kemi një kontigjent jo të plotë. Dita sot është futur i sforcuar, kërkoi ndërrim sepse ndjeu sërish dëmtimin. Në një anë është kënaqësia që shkojmë në gjysmëfinale, është kualifikim me kosto. Duhet të jemi të kujdesshëm për të përballuar vazhdimin e kampionatit dhe të Kupës së Shqipërisë.

Bregu ishte ndërrim i detyruar, ka ndjerë dhe ai shqetësim. Parim i stërvitjes është dhe vazhdueshmëria. Kur ke dëmtim, shfaqen më shpesh. Dejvi ishte i detyruar se ndjente shqetësim në muskujt gluteus. Nani pothuajse nuk kishte më energji për të vazhduar. Të shkosh në rol tjetër, i duhet dhe atij kohë që të përshtatet.

Sigurisht që Skënderbeu ka kontigjent goxha të mirë lojtarësh. Të njëjtën gjë bëri dhe në ndeshjen e parë dhe shkoi drejt fitores 0-2. Ka dy gjëra, ul motivimin te pjesa jonë si Dinamo, lojtari kur nuk sheh grup të kompletuar ka motivim më të dobët, lojtarët në moshë të re punojnë në fazën e mbrojtjes. Mund të ishim skualifikuar se golin e kemi shënuar në minutat e fundit të pjesës së dytë”, u shpreh Daja për RTSH.