Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, analizoi humbjen 2 me 1 që skuadra e tij regjistroi ndaj Bylisit. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “RTSH”, tekniku kryeqytetas, ndër të tjera deklaroi:

“Skuadra punoi mire. Morëm gol nga goditja standarte. Meksi nuk u aktivizua për gjendje gripale. Mund të merrnin edhe 3 pikëshin, kishim 3-4 situata përpara golit të dytë. Duhet të ishim më cinikë me rastet e krijuara. Meritonim shumë më tepër se marrja e atij goli në minutat e fundit.

Skuadra e ka petkun për të synuar kampionatin. Fusha e Bylisit është e vështirë, çdo ekip këtu do e ketë të vështirë, luajnë futboll mirë. Reaguam edhe në fillim të lojës, kundërshtarët rrezikuan nga topat e humbura nga ne. Ekipi reagoi edhe kur barazoi edhe në pjesën e dytë, me rastet e Itodos dhe Zabërgjës që ishin shumë të favorshëm. Djemtë e kanë mentalitetin e fituesit. E fillojmë aty ku e kemi lënë, pavarësisht ritmit të munguar në këto 2-3 javë pushimi.

E kanë mendësinë për të fituar titullin, kemi dalë në vend të parë, pavarësisht startit jo të mirë. Me ardhjen e Bregut dhe disa lojtarëve në formën më të mirë, besoj që do të kemi po të njëjtën pamje. Faza e dytë është e vështirë. Nisem nga bazamenti që kemi treguar vetën në fazën e parë të sezonit.

Patëm probleme në ndërtim në pjesën e parë, vazhdimësia nuk ishte për shkak të këtyre vështirësive. Karamba dhe Nani u pozicionuan në një tjetër rol, dhe nuk po dinin të merrnin hapësirat që krijonte Bylisi. Nani dhe Karamba ishin 1 kundër 1 me stoperat e Bylisit. Pjesët e tjera të manovrës nuk kam qejf t’i deklaroj.

Karamba nuk është sulmues, është mesfushor 8 në pozicionin natyral. Nuk ndryshuam gjë me zëvendësime, kërkuam që lojtarët që futëm të kishin tjetër qasja. Po funksiononte më mirë pjesa që nuk bëmë në gjysmën e dytë të pjesës së parë”, u shpreh Ilir Daja.