Dinamo City ndeshet me Vllazninë për javën e 16-të të Superiores. Ndeshja luhet të mërkurën, në orën 19:30, në stadiumin “Loro Boriçi”. Para kësaj sfide, trajneri Ilir Daja u shpreh:
“Vllaznia ka një ekip nga më të fortët e kampionatit shqiptar, jemi gati me pikë të barabarta. Jemi dy ekipet që kanë shënuar më shumë se të tjerët, që do të thotë se kemi sulm të mirë, por dy ekipet kanë probleme me golat e pësuar.
Besoj se do të jetë një lojë e bukur për t’u parë nga tifozët e të dy kampeve. Ne dhe Vllaznia bëjmë një lojë të hapur dhe ekipi që do të mbrohet më mirë, që do të ketë më shumë ekuilibër, ka më shumë mundësi për fitore.
Dëmtimet? Është rikthyer Aliji, na mungon edhe Mandela, që është golashënuesi ynë më i mirë bashkë me Zabërgjën, përveç Bregu dhe Hoxha që nuk është akoma gati për të startuar një ndeshje. Morali dhe gjendja janë mirë, sepse fitorja me Teutën ka ndikuar në këtë drejtim.
Futbolli është sport subjektiv, në çdo ndeshje ka dilema, sepse janë shumë situata të ndryshme. Nuk kemi pasur shumë kohë për t’u përgatitur, ashtu si kundërshtari, kështu që secili ekip do t’u mëshojë manovrave të veta. Vetëm një gjë kam të sigurt, që kam një grup futbollistësh shumë të përgjegjshëm që do të japin maksimumin, pastaj ia lëmë fushës.
Dihen vlerat e Balajt, por Vllaznia ka edhe lojtarë të tjerë me eksperiencë, si Gurishta, Mala, Krymin që nuk e di luan apo jo. Vllaznia një pjesë të mirë të golave të shënuar i ka nga goditjet standarde, ku një pikë referimi është edhe Balaj. Do t’i kushtojmë vëmendjen e duhur, por vështirë të mbulohet.
Në Shkodër luhet futboll, sepse sportdashësit shkodranë kur luan mirë dhe fiton, ata të mbështesin. Është një ambient i mirë për të luajtur, edhe stadiumi është i mirë. Statistikat janë bërë për t’u ndryshuar. Kemi një fitore me Vllazninë, por kishte problematikat e veta, sepse nuk ishim në numër të barabartë. Është fushë e vështirë në sensin sportiv, por do të synojmë më të mirën, sepse kur arrihet diçka në një fushë të vështirë, është më bukur.
Kemi marrë rezultate pozitive, kemi vetëm një humbje që kur jam në krye të Dinamo. Që të ketë vazhdimësi në shtrirje më të gjatë kohore, duhet punuar me një projekt më afatgjatë, edhe me akademinë. Kur të kemi të gjithë kontigjentin në dispozicion, do të jemi më të fortë”.