Trajneri Ilir Daja, është përfolur si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare, pas largimit të trajnerit Edoardo Reja.

Megjithatë në një prononcim të dhënë për mediat në Kosovë, Daja ka deklaruar se nuk është kontaktuar nga FSHF, ndonëse pranon se kulmi i karrierës për një trajner është të marrë drejtimin e kombëtares.

“Unë mendoj që kulmi i çdo trajneri është të marrë drejtimin e ekipit kombëtar. Por unë jam në kontratë me Ballkanin dhe nuk kam pasur kontakt të drejtpërdrejtë me askënd.

Nëse unë jam kandidat potencial për t’u bërë trajner i Shqipërisë, së pari duhet të flas me drejtuesit e Ballkanit pasi kam edhe dy vite kontratë këtu. Vetë personalisht nuk jam kontaktuar nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit”- eshte shprehur ai.