Dinamo po zhvillon një sezon pozitiv, teksa e sheh veten në krye të kampionatit shqiptar. Dinamovitët kanë grumbulluar 34 pikë deri tani, me skuadrën që është përmirësuar ndjeshëm që prej ardhjes së Ilir Dajës në stol. Trajneri i Dinamos në një intervistë për Sport News në News 24, në bisedën e bërë me Trevisa Tufën foli për mundësitë për të fituar titullin, projektet dhe për shanset që ka ekipi për vitin e ardhshëm.


Nga 2008 e famshme, titulli me Dinamon dhe sot pas 16 vitesh, duket sikur janë dy botë të ndryshme, ka mbetur më diçka e përbashkët?

Unë do thoja se pjesa e traditës ekziston, pasi jemi ekipi i dytë më i titulluar në Shqipëri. Ka mbetur diçka nga mënyra sesi luajmë ne futboll. Dikur ka qenë lojë akademike dhe e ndërtuam me koncepte. Besoj se po rikthehemi drejt asaj loje. Besoj se duke u kthyer edhe klasifikimi në favorin tonë, kemi bërë mirë. Për ta rikthyer Dinamon e titujve kampion, na duhet edhe më shumë punë.


Pse të shkon kaq shumë Dinamo profesor, pse kjo lidhje kaq e fortë me këtë klub, pse nuk e patët kurrë këtë shkëndijë në dy pjesët e tjera të kryeqytet, te Tirana dhe Partizani?

Te Tirana dhe te Partizani ka qenë kënaqësi, pasi bashkë me Dinamon, janë të pjesa e elitës. Kjo lidhje me Dinamon është ndryshe pasi nga mosha 16-vjeç e mbrapa kam qenë gjithmonë pjesë e Dinamos. Sot rikthehet me shumë kënaqësi dhe dëshirë për të bërë një gjërë siç i takon Dinamos.

Të bëri ndonjë ofertë Olsi Rama këtë periudhë, në çdo rast flet me shumë respekt….

Nuk kemi patur miqësi. Miqësinë e konsoliduam dhe vazhdojmë ta kemi edhe sot. Olsi ka ardhur, por në ato momente kisha mbyllur gjithçka me Dinamon. Natyrisht jo me shkresë, por Olsi e di që nëse unë i jap fjalën dikujt, do i shkoj deri në fund. Kjo ndodhi edhe me Partizanin pastaj, kur i dhashë fjalën, bashkëpunuam.


Daja, e prisje një rikthim të tillë, si kampion dimri?

Nuk e prisja, pasi fillimi nuk ishte i mirë për Dinamon. Nuk i njihja me detaje lojtarët. Kur mora drejtimin, hasa vështirësi. Nuk e kisha menduar që do ishim këtu, por gjetëm terrenin e duhur. Sot ka kompleksin e vet, është në një pozicion të mirë, në një fshat shumë të bukur. I kemi kushtet për të punuar, jemi të qetë nga ana financiare.


Është Dinamo realisht kaq e fortë dhe e kompletuar për të fituar titullin, çfarë dhuratash pret në këto ditë festash, çfarë i ke kërkuar Pinarit?

Në këto lloj kampionatesh, në momentet kur ti e flen mendjen, ndodhin gjëra jo të mira. Kemi bazën shumë të mira, qoftë nga ana psikologjike, por edhe fizike. Dhuratat ne i morëm për vitin e ri (Qesh). Çdo trajner pret dhurata. Merkato e janarit ofron shumë pak. Pjesa e dytë e kampionatit nis me 11 janar, do të thotë se nuk ke shumë kohë. Do isha i kënaqur nëse do afronim 1 ose 2 lojtarë. Na duhet një qendërmbrojtës dhe një mesfushor që ka tipare drejt sulmit.

Të bezdis formula e re që gjetët në futbollin shqiptar?

Unë e kam shprehur që nuk e shikoja si një formulë të duhur. Tani kjo ka marrë rrugë dhe nëse e trajtojmë sërish, do e heqim fokusin nga ajo që duhet të bëjmë.Ana jo e mirë është se ne 36 javë ulet sensi i garës. Shumë klube mund të provojnë lojtarë të ri. Ky format të jep mundësinë edhe që të gabosh.

Në raport me cilësinë, si e gjetët nivelin në këtë rikthim, më i fortë apo më i dobët?

Cilësia është po e njëjta. Nuk ka luhatje të madhe të cilësisë. Ndoshta ekipet shprehen më lirshëm për shkak të formulës së kampionatit. Besoj që pak a shumë cilësia është e njëjtë.


Profesor, keni ardhur për të qëndruar gjatë këtë herë, apo keni ndonjë kusht?

Kushti specifik? Çdo trajner është i lidhur me rezultatet. Kam biseduar me Presidentin, rëndësi ka të ndjehemi mirë. Duhet të marrim rezultate, ndaj për këtë punë jemi këtu.


Shkruat historinë me Ballkanin, e kishit shkruar më herët dhe me Skënderbeun, mund ta përsërisësh historinë? Pse është kaq i vështirë të klonohet projekti Skënderbeu?

Historia e Skënderbeut është e gjatë, pasi krijoi një cikël, ku fitoi shumë tituj. Mbante boshtin. Me Ballkanin ishte histori e shkurtër. Nuk zgjati shumë, pasi ikën lojtarët e formacionit që kishin bërë historinë.

Kush e fiton titullin këtë vit?

Ai që gabon më pak do të fitojë. Për kualitete, është Egnatia që është një ekip i fortë. Meritë e stafit teknik, Mbetet për t’u Partizani, pasi kanë ikur disa lojtarë. Mendoj se edhe Vllaznia, pa harruar edhe Durrësin, edhe Elbasanin. Bashkë me ne, këto ekipe do të rivalizojnë deri në fund. Se kush del kampion, nuk e di as magjistari më i madh.

Ky është një vit i rëndësishëm për ju, për Dinamon, por është shumë i rëndësishëm edhe për Kombëtaren, luhen kualifikuset e Botërorit, beson se kemi ndonjë shans real për t’u kualifikuar, ose të paktën për të shkuar në play-off?

Ne duhet t’i japim qetësinë e duhur stafit teknik dhe lojtarëve. Nuk duhet të kenë presion. Ashtu siç kemi dy histori kulimante ku s’jemi nisur si pretendent, gjëja e parë që duhet bërë është që duhet të mbështesim kombëtaren.


Do e kishe shmangur Serbinë?

Le të jemi përtej politikës. Futbolli duhet të përcjellë paqe. Këtë mesazh duhet të përçojë si Beogradi, ashtu edhe Tirana.


Jam shumë kurioze të di mendimin tuaj për trajnerin Sylvinho, me çfarë notë do e vlerësoje?

Trajneri matet me rezultate. Vetë futbolli është sport subjektiv. Nuk është e lehtë që të shkosh me një ekip si Shqipëria, nuk është se kemi patur ndonjë traditë. Kur janë këto kulme, duhet që Çesarit t’i japësh atë që i takon Çesarit. Ka bërë punë të mirë trajneri.