Ilir Daja është ndalur për sfidën që Skënderbeu do të zhvillojë në transfertë me Vllazninë. Trajneri i korçarëve e sheh si një ndeshje të rëndësishme, duke theksuar se pikët me vendet më sipër janë të rikuperueshme.
Për “Korça Report”, Daja ka theksuar se të gjithë lojtarët janë në dispozicion, paçka se gripi ka prekur 2-3 prej tyre. Mungesat e Pollozhanit dhe Imamit tanimë dihen, me Jashanicën që natyrshëm rikthehet jo në formën e tij më të mirë pas një mungese prej dy vitesh.
Si janë përgatitjet para ndeshjes në transfertë me Vllazninë?
Jemi në një moment të mirë psikologjik sepse vijmë nga një fitore e rëndësishme dhe një seri ndeshjesh të mira, pavarësisht se kemi një gjendje jo të mirë nga dy-tre lojtarë me grip. Kemi Pollozhanin dhe Imamin të dënuar nga kartonët, por po punojmë me Jashanicën e rikthyer.
Si e prisni debutimin e Jashanicës?
Dihen vlerat e Jashanicës sepse I ka të shprehura në fushë por edhe në kompeticionet europiane. Natyrshëm që nuk e presim në kulmin e vet, por dimë dhe kemi siguri se është një pikë shumë e fortë për ekipin. Do të donim të vijë sa më shpejt në formën e tij më të mirë.
Bregu sot në stërvitje edhe pse shënoi dhe luajti mirë sikur e mbronte veten nga dëmtimi. A do të aktivizohet ndaj Vllaznisë?
Të gjithë lojtarët janë në dispozicion. Do fillojmë të ndërtojmë manovrën për t’ju përgjigjur Vllaznisë sepse luan mirë dhe me mbështetjen e publikut të vet motivohet maksimalisht. Edhe ne duhet të kemi të njëjtën dozë motivimi, të paktën atë që kemi shprehur në pjesën e dytë të kampionatit.
Kjo sfidë është për pjesën e poshtme të tabelës apo për ngjitje drejt kreut?
Diferenca në pikë është e rikuperueshme. Jemi të karikuar me energji e duhura psiko-fizike. Besoj se do vazhdojmë të bëjmë mirë edhe në lojë, edhe në performancë edhe në rezultate. Pikët kanë vlerë në çdo ndeshje.
Ju përgjigjet tashmë skuadra?
Një pjesë e lojtarëve janë nga ata që kanë punuar edhe më parë me mua. Pozitiv është fakti që edhe tek lojtarët e rinj ka njëfarë rivaliteti, sepse u është dhënë mundësia dhe po paraqiten mirë./newsport/