Vllaznia me humbjen ndaj Skënderbeut i ka vështirësuar seriozisht pozitat e saj në renditje dhe tashmë ajo e sheh veten 4 pikë nga korçarët që ndodhen një vend më lart në renditje. Por jo vetëm kaq. Kalendari i dy ndeshjeve të ardhshme është shumë i vështirë për shkodranët që kësisoj ia kanë bërë “malore” vetes rrugëtimin në këtë fundkampionati.
Ndonëse janë edhe 12 ndeshje deri në fund për t’u luajtur, gjërat nuk duket se janë aq mirë në kampin shkodran ku duket se ka rënë njëfarë pesimizmi tek të gjithë.
Megjithatë ndryshe mendon një kundërshtar, pikërisht trajneri i Skënderbeut Ilir Daja i cili kur është pyetur nëse tashmë skuadra e tij është përfundimisht larg zonës play-out pas asaj fitoreje me Vllazninë, është përgjigjur:
“Unë mendoj se si Skënderbeu ashtu edhe Vllaznia, me lojërat që kanë bërë dhe kontigjentin që kanë, nuk besoj se janë ekipe që do të rivalizojnë për vendin e tetë. Ne pas kësaj fitoreje, mund të synojmë për më lart në renditje”.
Këto janë fjalë të bukura kur dëgjohen nga një trajner me shumë përvojë dhe i suksesshëm si Daja por në fakt fjalët e bukura nuk vlejnë sepse duhen pikët dhe Vllaznia është defiçitare me to. Nisja që i ka bërë fazës së tretë të kampionatit është aspak e mirë dhe për këtë arsye, gjërat pritet të jenë të vështira deri në fund.
© shkodrasport.com