Ish- mbrojtesi i Vllaznise Ilir Dibra ndonese prej pak vitesh ndodhet larg Shqiperise, serish syte dhe mendjen e ka tek skuadra e tij e zemres te cilen e ndjek me shume vemendje ne çdo ndeshje qe luan apo dhe ne informacionet rreth saj. Duke folur se fundi per “Panorama Sport” ne lidhje me startin e kampionatit te kuqebluve duke shprehur rezerva per menyren e lojes se tyre.
“Duke parë dy ndeshjet e para që shorti i kishte rezervuar me Partizanin në Tiranë dhe me Tiranën në Shkodër, mendoj që 4 pikët e grumbulluara janë mirë për startin e kampionatit. Përsa i përket lojës ka shumë për të diskutuar gjë që i takon stafit të ndërhyjë.
E kam parë gjithë ndeshjen me Tiranën dhe mendoj që barazimi ishte mëse i drejtë. Mundësi për nga rastet që u krijuan ishte që ta fitonin ndeshjen të dyja skuadrat. Gjithmonë ndeshjet me Tiranën në Shkodër kanë qenë sfidë për ta fituar dhe atmosfera në stadium ka qenë e mrekullueshme nga tifozët shkodranë që e kanë mbështetur gjithmonë Vllazninë.
Mendoj që në përgjithësi Vllaznia luajti mirë, duke parë që përballë kishte Tiranën, që çdo vit është pretendente për të fituar kampionatin. Duke parë rastet që pati Tirana mendoj që e gjithë skuadra në fazën mbrojtëse në mbulimin e kundërshtarit pati probleme gjë që i takon stafit drejtues të bëjë një analizë të detajuar mbi situatat e kundërshtarit.
Përsa i përket repartit të mbrojtjes pati ato problemet e veta që i shikuam gjatë 90 minutave. Kjo sidomos në mbulimin individual apo zonal të kundërshtarit në zonë, gjë që i lejoi kundërshtarit edhe të shënonte.
Çdo trajner do të bënte më të mirën për skuadrën e vet që ta fitonte ndeshjet. Trajneri i ka njohuritë e duhura dhe eksperiencën për të ndërhyrë te skuadra, pasi e njeh mirë Vllazninë. Për të është hera e dytë që drejton Vllazninë dhe ai e dinë shumë mirë se çfarë do tifozëria dhe qyteti i Shkodrës”- eshte shprehur Dibra.