Një nga dy trajnerët shkodranë që kanë emigruar muajt e fundit në Kanada, pikërisht Ilir Dibra, mësohet se ka nisur punë në këtë profesion edhe atje në kontinentin e largët. Ndonëse ende zyrtarisht nuk ka marrë drejtimin e një ekipi, ai ka punuar për disa kohë në një ekip moshash si zëvendëstrajner. Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” kur ka thënë:
“Për njëfarë periudhe kam punuar si ndihmës në ekipet zinxhir të Akademisë ku kam rregjistruar edhe djalin si futbollist. Natyrisht që më duhet pak kohë për t’u ambjentuar. Pikësëpari jam në shkollë sepse më duhet të mësoj gjuhën. Pasi ta bëj këtë gjë, do të jap një provim për të konvertuar liçensën UEFA A që kam marrë në Shqipëri me liçensat që janë këtu në Kanada.
Gjithsesi, gjërat janë në rrugën e duhur dhe besoj se për një kohë të shkurtër, do t’i kem përfunduar këto procedura dhe do të mundem të nis punë me ndonjë ekip”.
Shkodrani tjetër Alban Volumi që edhe ai jeton në këtë vend, në fakt ka nisur punë dhe ky është një lajm shumë i mirë për të.
© shkodrasport.com