
Ilir Dibra dhe Vildan Tufi do të jenë dy trajnerët e tjerë që do të plotësojnë stafin teknik të Vllaznisë. Vendimi është marrë paraditen e sotme nga Bordi drejtues i klubit pas propozimit të bërë nga ana e trajnerit Luan Zmijani. Në fakt, në tavolinë para anëtarëve të Bordit kanë qenë tre emra për postin e zëvendëstrajnerit dhe në fund është vendosur për ish- futbollistin e Vllaznisë Ilir Dibra. Po ashtu është rënë dakord edhe për vendosjen e një trajneri të përgatitjes atletike dhe për këtë post është emëruar një emër shumë i njohur si Vildan Tufi. Pas kësaj, ka qenë administratori i klubit Neritan Kalamishi ata që i ka prezantuar para mediave dy pjestarët e rinj të stafit teknik të kuqebluve.“Me emërimin e Dibrës si zëvendëstrajner dhe të profesor Tufit për përgatitjen atletike, stafi teknik i Vllaznisë është i kompletuar dhe ai tashmë duhet të vazhdojë punën. Dhe jo vetëm të mendojë për sezonin aktual por të nisë të punojë për sezonin e ardhshëm ku patjetër që ekipi do të ketë të tjera objektiva. Me djemtë e rinj që kemi në skuadër si dhe me 2-3 përforcime cilësore, jam i bindur se Vllaznia ka për të qenë një ekip i denjë për të luftuar për në Kupat e Europës”- ka thënë administratori i klubit. Pas tij, edhe Tufi por edhe Dibra kanë vlerësuar besimin që është treguar për ta dhe kanë premtuar se do të bëjnë më të mirën për Vllazninë.
© shkodrasport.com