Mesfushori kosovar Ilir Nallbani edhe njëherë tjetër shpreh dëshirën e tij në mënyrë të hapur për t’u bashkuar me Vllazninë në sezonin e ri. Fakti që ai ka lënë përshtypje të mirë tek kjo skuadër, tek tifozët e saj dhe për më tepër që edhe ai është ndjerë mirë aty, e bëjnë atë të kërkojë me ngulm rikthimin në Shkodër. Por kjo duket se nuk po ndodh. Lojtari nga Peja megjithatë vazhdon të insistojë. Ditën e djeshme, në një prononcim për “Shkodra Sport” ai ka bërë të ditur se ditët e fundit ka patur një tjetër bisedë telefonike me drejtorin sportiv të Vllaznisë, ish-shokun e tij të skuadrës- Armir Grimën. Duke folur në lidhje me këtë detaj, ai ka thënë:
“Po, është e vërtetë se pak ditë më parë kam patur një tjetër bisedë telefonike me drejtorin Grima. Kemi biseduar gjerë e gjatë në lidhje me mundësinë e veshjes time kuqeblu ndërkohë që nga ana e Grimës ende nuk kam marrë asnjë përgjigje. Thjesht më bëri të ditur se Brenda dy apo tre ditësh do më telefononte sërish. Unë jam në pritje të një ftese zyrtare për të qenë sërish pjesë e kësaj skuadre dhe pres që të ndodhë kështu”. Nëse drejtori sportiv I klubit shkodran ka hezituar për t’I bërë një ofertë zyrtare, kjo duket se e ka një shkak. Burime praën klubit Vllaznia bëjnë të ditur se trajnerit Shpëtim Duro nuk I pëlqen ky lojtar. Ai ka në mendje marrjen e lojtarëve të tjerë për mesfushën dhe për këtë arsye gjithë kjo dilemë ndaj Nallbanit ka të bëjë me këtë gjë. Sigurisht që drejtuesit e klubit shkodran nuk duan t’ia japin përgjigjen negative menjëherë lojtarit duke mbajtur si “gurë rezervë” ngaqë nuk dihet se si do shkojnë punët në merkaton e kësaj vere. Megjithatë gjasat janë të pakta që lojtari I cili e mbylli këtë sezon me ekipin Trepça ’89 në Kosovë, të vijë në Shkodër. Tifozët e zjarrtë të Vllaznisë megjithatë e duan në skuadër. Nallbani në tre sezone e gjysëm që ka luajtur për këtë skuadër, ka dhënë gjithçka në fushë në çdo ndeshje duke I bërë për vete të gjithë. Pikërisht këto raporte me tifozët, me drejtuesit e klubit dhe me lojtarët e tjerë, e kanë bërë mesfushorin 30 vjeçar të jetë shumë I lidhur me këtë skuadër. Ai ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës së tij në këtë qytet dhe prandaj ka dëshirë të madhe të kthehet aty. Megjithatë, vetë Iliri nuk e përjashton mundësinë që të luajë edhe me ndonjë skuadër tjetër të kampionatit shqiptar. Njëra prej tyre është pikërisht ajo e Kukësit që tashmë ka për trajner Armando Cungun. Mes tyre ka patur një bisedë ditët e fundit dhe këtë e ka bërë të ditur për gazetën vetë lojtari kur ka thënë: “Cungu ka qenë në Prishtinë për të më ndjekur në finalen e Kupës së Kosovës kur me ekipin tim Trepça ’89 fituam këtë trofe. Kemi biseduar për mundësinë e shkuarjes time tek Kukësi dhe unë e pres një telefonatë edhe nga Cungu në ditët në vazhdim”.
Gjergj KOLA