Në Shkodër është thuajse si në shtëpinë e tij. Ka kaluar tre vjet e gjysëm aty dhe ka bërë shumë shokë e miq. Fjala e tij edhe dëgjohet. Si “I shtëpisë”, Ilir Nallbani ka marrë guximin t’I propozojë drejtuesve të Vllaznisë një lojtar për sulmin. Ai ka parë se kuqeblutë nuk po gjenin sulmuesin e duhur dhe për këtë arsye, u ka hedhur në tavolinë një emër: Kastriot Rexha, një futbollist me të cilin kishte luajtur gjashtë muajt e fundit tek ekipi Trepça ‘89. Drejtori sportiv I klubit Armir Grima dhe trajneri Shpëtim Duro I kanë besuar atij dhe I kanë thënë lojtarit se sulmuesi I propozuar prej tij mund të vinte në provë. Ka ndodhur kështu dhe 24 vjeçari nga Prishtina ka mbërritur në Shkodër paraditen e së mërkurës dhe menjëherë ka hipur në autobuzin e ekipit për të udhëtuar drejt Peqinit e për të luajtur në miqësoren ndaj Shkumbinit.
Trajneri e ka lënë në fushë 87 minuta dhe Rexha ka bërë një paraqitje të mirë. Shpresat për të qëndruar tek Vllaznia janë rritur dhe vetë Nallbani mendon se lojtari “I sponsorizuar” prej tij e meriton një vend në skuadër. “Unë mendoj se Kastriot Rexha është një futbollist që mund t’I bëjë punë Vllaznisë. E njoh mjaft mirë sepse kam luajtur me të. Kam bindjen se I ka aftësitë e duhura për t’I shërbyer skuadrës shkodrane. Ai e njeh mirë portën, jo më kot ka qenë edhe golashënuesi I dytë më I mirë I kampionatit të Kosovës në sezonin e fundit. Paraqitja e tij në ndeshjen miqësore me Shkumbinin them se ishte e mirë dhe shpresoj që në ditët e ardhshme të bindë stafin drejtues për të qëndruar tek Vllaznia”. Kur flet Nallbani sigurisht që duhet t’I besohet për vetë karakterin që ai ka. Pikërisht për këtë arsye edhe drejtuesit e klubit I kanë besuar kur I kanë thënë ta sillte Rexhën. Megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e lojtarit. Dështimi I tratativave me kroatin Dragiçeviç dhe mundësia e pakët për të marrë Martinenën, e shton mundësinë e firmosjes për sulmuesin kosovar. Gjërat duken në rrugë të mbarë për këtë megjithatë në ditët e ardhshme kjo gjë ka për t’u vendosur dhe me shumë mundësi Kastriot Rexha do jetë blerja e sulmit për kuqeblutë. Nëse do ndodhte kështu, edhe Ilir Nallbani do ndjehej I gëzuar për propozimin e saktë që I ka bërë klubi. Nallbani ka shumë popullaritet në Shkodër. Jo më kot vetë presidenti Luka I plotësoi dëshirën tifozëve për ta rikthyer sërish në skuadër pas një viti shkëputje. Kjo e ka bërë atë të ndihet shumë mirë. Në të katër miqësoret e zhvilluara deri tani, mesfushori nga Peja ka qenë gjithnjë në formacion. Ai vetë mendon se takimi I fundit I luajtur të mërkurën në Peqin ka qenë më I mirë gjatë kësaj përgatitoreje për Vllazninë.“Në miqësoren ndaj Shkumbinit kemi luajtur më mirë se në ndeshjet e tjera që kemi zhvilluar. Skuadra është shprehur më mirë në fushën e lojës dhe besoj se në ditët e ardhshme do të përmirësohemi sërish në mënyrë që të bëhemi gati për ndeshjen e parë të kampionatit me Skënderbeun për ta nisur me fitore”. Dëshira është e madhe për të fituar titullin kampion këtë sezon. Në Shkodër kanë filluar të besojnë për këtë gjë. Natyrisht që mungojnë emrat e mëdhenj të futbollistëve, mungojnë kontratat e majme financiare por ka shumë dëshirë. Dhe kur ka dëshirë e impenjim ,çdo gjë është e mundur.
Gjergj KOLA