Idhulli I tifozëve kuqeblu është pikërisht Ilir Nallbani. Një nga arsyet që ai sot është tek Vllaznia është pikërisht dëshira e drejtuesve të saj për t’ia plotësuar kërkesën këtyre tifozëve për ta patur në skuadër mesfushorin nga Peja e Kosovës. Për të, ky është sezoni I pestë që luan në Shkodër dhe ndjehet mjaft mirë aty. Në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport”, Nallbani ka folur për ndryshimet që vërehen së fundi tek skuadra e Vllaznisë. Ja intervista e tij e plotë:

-Nallbani, fitore edhe me Kukësin. Çfarë është kjo Vllazni?
E kishim parandjerë vështirësinë e ndeshjes me Kukësin. E kishim të qartë se kundërshtari luan fort në çdo cep të portës dhe pikërisht mbi këtë ide e ndërtuam edhe mënyrën e lojës. Sigurisht që nuk zhvilluam të njëjtën lojë si në Korçë, kemi luajtur më dobët këtë herë por e rëndësishme ishte të merrnim tre pikët. Ato na duhen, ndërsa për gabimet që vërehen në lojën tonë, do të vazhdojmë të punojmë për t’I përmirësuar deri në fund
-Kemi të bëjmë thuajse me të njëjtën skuadër por ajo paraqitet krejt ndryshe në këtë fazë të dytë. Çfarë ka ndryshuar tek ajo?
Ndryshimi kryesor është trajneri tek Vllaznia. Trajneri Duro kishte mënyrën e vet të të punuarit por me ardhjen e trajnerit Bushati kemi ndryshuar qind për qind. Ky ndryshim duket që në stërvitje, për mënyrën si na karikon ai duke e konsideruar çdo seancë si ndeshje zyrtare. Këtë gjë se kemi patur më përpara. Pa përmendur pastaj karikimin para ndeshjes sepse Bushati na e përmend shpesh se në fushë duhet të futemi vetëm për fitore dhe asnjë rezultat tjetër. Këtë gjë na e thoshte edhe para ndeshjeve miqësore që kemi zhvilluar në fazën përgatitore, na e ka thënë edhe para këtyre dy ndeshjeve të kampionatit dhe pikërisht ky besim na ka dhënë edhe fitoret. Pa përmendur pastaj edhe qëndrimin shumë afër të presidentit Çela
-Ju ka munguar ky motivim dhe ky karikim në fazën e parë?
Kjo mënyrë motivimi na ka munguar me trajnerin Duro. Ne hynim në ndeshje me idenë që të marrim çfarë mund të marrim dhe jo si tani, me objektiv të vetëm fitoren. Në Korçë ne si futbollistë në fakt para ndeshjes e shprehnim hapur kënaqësinë nëse do të merrnim edhe një barazim por trajneri ngulte këmbë që duhej të kërkonim medoemos fitoren dhe ia dolëm
-Skuadra është më e dobët në fakt se ajo e fazës së parë sepse janë larguar Osmani e Hysa ndërkohë që nuk kanë luajtur as Beqiri e Deliç. Si ia keni dalë t’I fitoni këto dy ndeshje?
Edhe këtu ka të bëjë trajneri. Ai na e ka bërë të qartë se gjithësecili që është në stërvitje, mund të luajë në formacion dhe kjo ka shtuar konkurrencën por edhe dëshirën për të bërë më të mirën
-Rexha, sulmuesi që ju keni “sponsorizuar” për të ardhur tek Vllaznia, po shënon tashmë. Ndjeheni më I qetë edhe ju?
Në fakt tani që po shënon Rexha, edhe unë ndjehem më mirë. Gjatë fazës së parë kur ai kishte problem në ambjentimin me skuadrën, tifozët më fajësonin mua duke më thënë se çfarë lojtari ke sjellë. Por unë kam besuar tek aftësitë e tij dhe mendoj se mund të japë edhe më tepër dhe do këtë po e tregon këto kohët e fundit. Jam I bindur se ka për të na ndihmuar jo pak me golat e tij
-Ylli Hoxha është pëlqyer shumë në Shkodër atë ditë në ndeshjen Vllaznia- Kukësi. Çfarë është ky lojtar?
Ai është një lojtar me të dhëna shumë të mira, ka një përgatitje të lartë fizike dhe mendoj se është zbulimi I kampionatit sivjet. Hoxha bashkë me Besart Berishën që luan tek Besa, them se janë dy futbollistë shumë interesant nga Kosova që luajnë në kampionatin shqiptar.
-Të shtunën ndërkohë Vllaznia do luajë në Gjirokastër. Mund t’ia dalë të marrë edhe fitoren e tretë rradhazi?
-Nuk është ndeshje aspak e lehtë. Kundërshtari do bëjë çmos ta fitojë ndeshjen por edhe ne nuk heqim dorë nga fitorja. Jam I bindur se mund t’ia dalim edhe në Gjirokastër e këtë do t’ia arrijmë duke dhënë maksimumin tonën në fushën e lojës sepse nëse nuk e bëjmë këtë, do jetë e vështirë të marrim tre pikët.
Gjergj KOLA