Vllaznia festoi 101 vjetorin e krijimit të saj muajin e kaluar dhe padyshim që për lartësimin e këtij emri në vite kanë kontribuar shumë sportistë dhe trajnerë të cilët kanë dhënë gjithçka për këtë fanellë, për këtë emër. Sporti i notit ka qenë ndër më të suksesshmit e këtij klubi në vite.
Kjo nuk do të thotë se është anashkaluar sepse kurrsesi nuk mund të harrohen emrat e mëdhenj të këtij sporti, nuk mund të harrohet familja Shestani, familja Muriqi, nuk mund të harrohet Selami Ibrahimi, Azem Plisi, Tonin Radovani, Sadi Anadolli, Ethem Avdia e shumë të tjerë nga meshkujt, por kurrsesi edhe Anila Egerçi, Mimoza Alia, Rovena Marku, Kudrete Kozmai, Flutura Shkenza e të tjera nga femrat.
Apo dhe të trajnerëve të shquar të këtij sporti si Shuajp Mehmeti, Ridvan Gjeçaj, Franc Noga, Smajl Muriqi, Kudrete Kozmaj, Halim Zaganjori etj.
Por sot do të ndalemi tek një kampion i madh i këtij sporti: Ilir Ymeri. Emri i tij nuk po përmendet askund por në sportin e notit ka arritur rezultate që pakkush ka arritur më parë. Në vitet ’80 ai i ka dhënë Shkodrës dhe klubit Vllaznia rreth 80 tituj kampionë si individ.
Ka thyer shumë rekorde kombëtare, ndërkohë që do të mbahet mend nga të gjithë për rezultatet e larta që ka arritur në Spartiadën e 6-të Kombëtare në vitin 1989 kur arriti të fitojë 5 medalje të arta, arritje kjo që nuk e kishte arritur asnjë sportist më parë në historinë e këtij aktiviteti të rëndësishëm.
Ka zënë vendin e parë në garën 100 m shpinë, 200 m shpinë, 200 m katërnotim, në stafetën 4 x100 m i përzier dhe 4x 200 m stil i lirë stafetë dhe kësisoj është shpallur me të drejtë edhe notari më i mirë i gjithë Spartakiadës së 6-të Kombëtare.
Në garat e stilit shpinë ka thyer të gjitha rekordet e mundshme, madje njëri prej tyre pati një jetëgjatësi 33 vjeçare derisa u thye pak kohë më parë nga një notar që stërvitet në Austri (kuptohet që në çfarë kushtesh stërvitet ai sot dhe në çfarë kushtesh u pat stërvitur Iliri).
Ilir Ymeri në vitin 1986 rekordi i thyer prej tij ka qenë pak të qindrat e sekondave larg nga rekordi europian për të rinj! Shtoji këtyre edhe titujt e shumtë kampionë që ka fituar duke e bërë atë një sportist të veçantë.
Një nga trajnerët që e ka stërvitur atë, Ridvan Gjeçaj shprehet me superlativa për këtë sportist kur thotë: “Ilir Ymeri ka qenë një talent i lindur dhe me punën që kemi bërë me të, kemi arritur rezultate të larta. Dua të them se njërin nga rekordet që ai ka vënë atëherë, vazhdon të jetë ende edhe sot i pathyer. Pra që nga viti 1989, pra prej 30 vitesh”.
© shkodrasport.com