Në të dalën veriore të qytetit të Shkodrës, ndodhet një fshat që quhet Shtoj i Vjetër.

Në këtë fshat, ndodhet edhe një oborr i motshëm. Në këtë oborr të motshëm, ndodhet një gur ciklopik.Ky gurë i tmerrshëm, që rri në atë oborr si një sfidant kokëngjeshur, brezash dhe burrash, ka një histori.

Një histori, kushedi, ndoshta edhe dy shekuj a më shumë , kur u shkëput nga trualli i vet në Malin e Zi familja shqiptare Arkoçi.

Në Ballkanin antik, sikurse edhe në Evropën antike, janë zhvilluar lojra masive rinie, ku konkuronte zgjuarsia, shpejtësia dhe sidomos forca fizike;ku përfshihej dhe ngritja e gurëve ciklopikë.

Në legjendën e kreshnikëve, Muji, falë mirësisë së tij, u shpërblye me një gjë të shtrenjtë nga zanat e folkut tonë ? krijesat fine më të herëshme sesa Mesjeta ; as me ar, as me armë, as me pasuri e as me hareme.

Duke i dhuruar tri pika qumësht gjiri, qumësht nëneje, zanat plotësuan pasionin e veçantë të mikut të tyre fisnik ? mundësinë për të fituar nëpër garat e ngritjes së gurëve.

Ky gur në oborrin e veçantë të Shtojit të Vjetër, na shpie në djalërinë dhe burrërinë e vjetranës sonë të mrekullueshme. Arkoçët e sapoardhur, papritur u bënë të nderuar shumë nëpër bonorët autoktonë të katundit Shtoj falë atij guri.

Për respektin e të gjith të tjerëve, në një ditë bajrami apo , mbase, Shëngjergji, njëri prej këtyre banorëve të ardhur, e ka tërhequr këtë gur qënga toka , e ka kaluar pranë gjunjve dhe e ka ngritur përmbi kokë i dorovitur nga hareja dhe mahnia e shtojakve.

Dalngadalë, brez pas brezi, mbiemri Arkoçi u zevëndësua me “Guri”; falë asaj shtange natyrore ? simbol i fuqisë së burrave të atij fisi, njëri prej të cilëve, qe kujtuar për ta tërhequr drejt e në oborrin e lashtë të shtëpisë së divave.

Ky gur qëndron i heshtur , siç hesht i bindur një skllav që ka vetëm një detyrë ? t’u bindet pinjollëve të fisit që e kishte mposhtur atë para syve të shtojakëve por që, do të fluturonte menjëherë që andej , nga ai oborr, me një palë këmbë apo një palë krahë të fshehura diku, nëqoftëse ai fis nuk do të lindë më gjigantë për t’u englendisur me ‘të.

Heroi ynë i tregimit të tanishëm, kujton fare mirë se si, atë gur, e kanë ngritur tre vëllezër përpara se ta ngrinte edhe ai vetë ? fëmija i dhjetë i Sait Gurit dhe nuses së tij kokëulur dhe jashtëzakonisht punëtore , Hamides.

Përpara se sa ta ngrinte atë Eljazi, i lindur kur babai i tij kishte mbushur të gjashtëdhjetë vjetët.

Dy nga ngritësit e vjetër të gurit, gjatë jetës së tyre, kanë qënë të detyruar të hapin zjarr me armë e me të gjith egërsinë e njerëzve të ndershëm.

Me gjith natyrën e tyre paqsore, siç e kanë shtojakët e mbishkodrës falë edhe afrisë me liqenin dhe gjelbëranës së fiereve, qershijave, gështenjave dhe vreshtave, Mujo dhe Zyber Arkoçi kanë luftuar me vetmohim dhe egërsi ciklopësh për mbrojtjen e Shkodrës nga ushtritë serbomalazeze.

Kanë luftuar derisa betejat vetëmbrojtëse të Shkodranëve të mbështetur prej vullnetarëve nga gjith Shqipëria u shitën nga një mjeshtër shumë i zgjuar intrigash dhe kompozicionesh, trim dhe lakmitar parashë, të cilit, më së fundi, i pushoi zëmra pas një atentati.

MËSUESI I SPECIALIZUAR PËR FILLORISTËT

Në moshën 16 vjeçare, Eljaz Guri, apo Laskoja,siç nisën ta thërrisnin në fillim tifozët e tij të panumurt e , siç e thërresin edhe sot e kësaj dite që vazhdojnë t’i hanë duart për punë ? “kot, për qejf”, tërhoqi fillimisht vëmëndjen e “Zotni Fetit”.

Feti Dizdari e tërhoqi mënjanë djaloshin truplidhur nga Shtoji dhe ai, pa një, pa dy, u fut në trupën e “dhjetgarëshve”, që drejtohej nga mjeshtri veteran Shkodran Njac Lacuku.

“Zotni Feti” do të linte mbresa tër jetën te vigani i ardhshëm i mundjes klasike. Që të gjith e dinin dobësinë e pedagogut Dizdari për Laskon aq sa, kur ky i fundit shkëlqeu sa dhe të dekorohej me urdhërin “Naim Frashëri”nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryesia e K. S. “Vllaznia” vendosi që, urdhëri të vendosej në gjoksin e fitimtarit prej “Zotni Fetit”.

Sul Rama është një trajner origjinal, që vështirë t’i gjëndet një i dytë në karrjerën e tij.

Ai ka kaluar nëpër duar që të gjith “as”? ët e mundjes që ka lindur, ushqyer dhe rritur trualli i Shkodrës; i ka kaluar nëpër të qeshurat e tija, nëpër planet e ëmbla të tija dhe u ka rrahur shpatullat duke buzëqeshur me nostalgji dhe duke u uruar fluturim të mbarë.

Edhe Laskoja ka kaluar ndër duart e Sul Ramës. Por vetëm për pak.

Vërtetë ai zuri vëndin e dytë në republikë për të rinjtë duke u mundur me pikë nga Maliq Stojku i “Dinamos” që mbante prej titullin e kampionit kombëtar ? dhe ishte 17 vjeçar.

Ama, “ata”, ‘mjekroshët e mundjes Shkodrane menduan që ta kalonin shtojakun e pafjalë dhe me një oreks të tmerrshëm, drejt e në kampionatin e të rriturve të mundjes klasike…

Për fat, atë kohë, ka patur shumë idealistë edhe në drejtuesit e sporteve. Për shëmbëll, siç hyri Laskoja 17 vjeç në kampionatin e të rriturve, Shkodrani tjetër, Sabah Bizi, pat sulmuar me fanelën e ekipit kombëtar të Shqipërisë kometën e futbollit evropia, Franc Bekenbauerin.

Sigurisht që, për këtë hap që bëhej ndaj këtij djaloshi, duke shpalosur përpara një perspektivë oqeanike ? ja ku e ke lundrën, ja edhe velën, ja edhe oqeanin ? nisu , pra! ka ndikuar edhe një sy i vëmëndshëm.

Syri i një ciklopi të tapeteve, një njeriu të pamposhtur kurr, një kreshnik jo vetëm nga trupi, por sidomos edhe nga shpirti ? Mirash Vuksani.

Ai i tha një ditë, duke e parë ndërsa ende ishte nën peshën e rëndesës së autoritetit të Sul Ramës: “Do të vijë një ditë e do ta mundin edhe Mirash Vuksanin. Ai njeri që ka për ta mundur Mirashin je ti!”…Dhe…

PAS PËRLARJES SË GURIT CIKLOPIK – PËRPLASJE ME IDHULLIN

Laskoja, kjo natyrë që, po ia bëre një të mirë, nuk flë rehat pa të ta shpërblyer shumë fish; ky njeri që aq e respekton mirësinë me një respekt fetar, provoi një dite një stress të tmerrshëm.

Nuk ishte stress për t’u mundur me ndonjë kampion bote në Shtojin e fëmijërisë; nuk ishte për të bërë ndeshje inatit duke qënë i sëmurë me ndonjë megalloman. Ishte shumë, fort më e rëndë. E papërfytyrueshme…

Duhej të ndeshej me idhullin e tij. Me atë që dikur, ende pa i rënë briskun e parë fytyrës, e kishte lënë pa fjetur duke ia përkëdhelur sedrën se do të vite një ditë edhe “atë”do të mposhtëte dikush…

“Kjo ka kenë edhe ndeshja jeme ma e rrezikshme në tanë jetën” ? më thotë gati me të pëshpëritur Laskoja, ndërsa jemi duke pira një kafe në Velipojë, ku ai drejton disa punime në një kompleks pallatesh që ngrihen buzë detit. Dhe…

” Trajneri jem, Luigj Deda, nuk më la me takue asnjë Shkodranë”.

Luigj Deda, rënë nga malësitë e Mbishkodrës ka qënë një mundës që ka shkëlqyer me ekipin e “Partizanit”, trajner i të cilit ka qënë prej 15 vitesh.

Luigj Deda, duke i ditur pasionet për Shkodrën që kishte Laskoja; pasione të verbra, gati për të sakrifikuar pa asnjë hezitim para , karrjerë, madje edhe jetën për këtë dhimbjen tonë të përbashkët ? Shkodërlocen që ende nuk po di ta marrë veten dhe vazhdon të ecë si e hutuar duke vërshëllyer me trishtin këngën e vjetër ? “Shkodra e kulturës” ? pra, Luigji, duke e njohur mirë Laskon, mori masën e paimagjinueshme – Asnjë takim me asnjë Shkodran!

Sipas kalkulimeve, vëndi i parë dhe i dyti do të ndaheshin prej dy rivalëve të vjetër ? “Partizanit” dhe “Vllaznisë”. “Vllaznia”, sidomos tifozët e saj, thuajse po festonte vëndin e parë.

Çdo gjë varej prej ndeshjes së mundësit të pamposhtur kurr, lemerisë së kundërshtarëve, veteranit Mirash Vuksani dhe të Laskos, ushtarit Shkodranë.

“Po të hupshe unë, Shkodra delte kampion”. Luigj Deda ia njihte të dhënat mirë që të dy kundërshtarëve që do të ndesheshin pas pak. Ishte ai që i kishte sërvitur që të dy balozët që do të përplaseshin tani; i kishte stërvitur në kohë të ndryshme.

Tanimë, njëri prej tyre ishte 38 – 39 vjeçar. Tjetri vetëm 21. Ky i fundit , për më tepër, sikurse edhe kolegu i tij i futbollit, Sabah Bizi, po kërkohej me këmbëngulje gati të karakterit politik, që të vinin, që të dy, me “Vllazninë”.

Si të kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak pranë “Partizanit”.

Si u takuat në tapet ?

Me shumë përzemërsi dhe salla ishte përplot.

Të shkoi në mëndje se Mirashi mund të të mëshironte?

Të më mëshironte mua? Asqi u bate fjalë. U zhvillua një duel i egër shumë…

Luigj Deda ia kishte dhënë porosinë qartë më të riut nga të dy mundsat që kishte stërvitur ai :

” Lufto në këmbë! Do të punosh me leva. Ndryshe ? humbe!”

Me gjith respektin e madh ndaj njëritjetrit, që të dy luftëtarët u duk qartë që do të ndesheshin me të tëra fuqitë e rezervat e veta. “Unë edhe me djalin tem me ba mundje, due me fitue se nuk ban ndryshe…Emocionet?

Në momentin që ke përfundue dhanien e dorës kundërshtarit, nuk ke ma asnjë emocion” ? spiegon Laskoja sekretin e tij pse nuk ka njohur epërsira psikologjike të çfardo kundërshtarësh qysh në çastet e sapofillimit të ndeshjeve.

Djaloshi arriti të mundëte viganin që po vjetrohej. Sigurisht që me pikë; s’bëhej fjalë në botë për më tepër. Ama, kujton Iliaz Guri, ishte e tmerrshme të përballoje, përveç furisë dhe egërsisë së Mirash Vuksanit edhe thirrjet e tifozëve Shkodranë. Atyre që do ta përkëdhelnin shumë më pas, kur ai të vishte tjetër bluzë, por, oh, atë dite…

“Ke me ardhë prap në Shkodër!…” “Qite Shkodrën kampion, mor mut!”… “Renegat”… “Tradhëtar i Shkodrës je, Lasko” ? këto ishin disa nga thikat që i ngulnin në trup djaloshit atë ndeshje mundjeje ? “ndeshjen ma të vështirë në jetën teme”.

Pas asaj batërdie…Mirash Vuksani ia dha dorën me përzëmërsi djaloshit që më së fundi e kishte mundur, siç kishte profetizuar ai; i ra në shpatulla me dashuri dhe i tha: “Urime! Më mirë që ndeshjen ma more ti sesa ndonjë tjetër”

PËR HERË TË PARË PËRPLASJE SHPATASH JASHTË MUREVE

Edhe në Paris , në Londër a Nju Jork , Eljaz Guri nuk mund ta ndjejë veten aq mirë se sa ditëve të vapës nëpër hijet e Shtojit.

” Unë jam një peshk i madh

mua s’më zënë rrëketë

Unë dua detin e Omanit” ? thotë Rumiu.

Deti i Omanit, për Laskon ka mbetur Shtoji, megjithse vetëm me një mundës ?”as” romun, nënkampion bote në peshën e tij të dashur ? 82 deri 90, i ka takuar të ndeshet katër here.Të ndeshet në palestra elitare, në sy të publikut elitarë dhe në kryeqytete…

Për herën e parë me mrekullinë e mundjes kombëtare romune, Maneo Dimitru, Laskoja është ndeshur kur ishte 23 vjeçar.

Është ndeshur para shqiptarëve të izoluar dhe të etur për triumph, që sikur bërtisnin qënga bedenat e një kështjelle të rrethuar. “Emocionet të heken me ‘i herë , sapo ia napim dorën njenitjetrit”.

Laskoja asqë do të dijë për trofetë ndërkombëtare të rivalit bukurosh nga Romania . Për djaloshin Shkodran, përball tij, ndodhet një qënie njerëzore me muskuj, me zemër dhe që ha, pi, flë dhe stërvitet , sikurse ai.

Një qënie njerëzore që inatoset, që sulet dhe mbrohet, që…bie, more, edhe në tuç.

Rinia dhe forca nuk njohin stepje. Forca e rinisë ka shpeshherë në vijën e parë të kontigjenteve të sulmit furinë e provokimit. Rinia , si një jaht i ri dhe i shpejtë, kërkon të panjohurën atje ku të jetë.

Mundësisht që kjo e panjohur të jetë me sa më shumë lavdi; ajo e kërkon, e kërkon me ngulm, dhe si e gjen, e provokon për betejë.

Besojmë që lexuesëve u kujtohet stari shqiptar i “Partizant”, Panajot Pano, kur i takoi të ndeshej për herë të parë me kombëtaren gjermane përpara tifozëve të tij dhe në fushën e tij.

Ai sulmonte, ashtu siç do të sulmonte tani Laskoja nënkampionin e botës. Panoja sulmonte mbrojtësin më të mirë të rruzullit, Shulcin. E sulmonte që ta kalonte me çdo kusht gjermanin e pakalueshëm nga askush.

Edhe Laskoja, ja, tani kishte përpara një star të botës. Ndrysh nga Panoja i atëhershëm , ndrysh nga Paulin Sterkaj apo Vasillaq Zëri; ndrysh nga këta natyra të përafërta në pacipërinë e tyre për të sfiduar sfinksa dhe shkëlqimtarë, fshatari Lasko ishte stepur paksa. I heshtur, i mirë, i mësuar në tempullin e qetësisë së tij, megjith buçitjet e tifozëve, megjith edhe të “dhanies së dorës”, prap…

Befas… romuni nis t’ia poshtërojë emrin. Dy pikët e para; dhe dy të tjera. Edhe dy. Tifozëria është me gjak të ngrirë. Romuni tanimë është edhe më arrogant në sulmet e tija.

Ai do të mbarojë edhe këtë ndeshje me të shpejtë, ashtu si mira të tjerave, megjithse i kishin thënë se kundërshtari i tij i atyre çasteve ishte mundësi më i mirë i Shqipërisë.Epo, mirë…OK.

Harusha e rritur nëpër vreshtat e Shtoit tani ka nisur të inatoset. Po inatoset keq. Dhe nuk ka më as edhe një kompleks nga frika e të panjohurës. E ç’ka po i lypej atij se qënka romun apo prej ngado të jetë. Qe, ma, he, njikto paskan kenë sekretet e tija…

Qënia e gjallë përpara tij, që mund edhe të bjerë në tuç…Po…e paska duket nji pikë delikate. “Nepi Lasko!”, iu bë sikur i ushtoi në veshë thirrja e plotpushtetëshme në ndeshjet e tija…. Dhe…Tuç.

Nënkampioni i botës ndodhet me shpatulla përdhe përposhtë shtojakut. Arbitri ngrë dorën dhe Laskoja ndjen një farë dhimbjeje për romunin që sapo e ka përlyer. Manea Dimitru ka shkëlqyer ngado, por nuk ka mundur ta gjente edhe këtë lavdi në mes të maleve të shqiptarve. Laskos i ngjajnë buçitjet e spektatorëve si vërshim i gjelbër nëpër vreshtin e Shtoit.

Shtoi i tij ishte duke e pritur atje,rreth 150 kilometro larg sallës së “Partizanit”. Shtoin e kishte marrë malli për djalin e tij.

Pëllëmba e shtrirë e Shtojit ishte guri ciklopik. Guri i i katragjyshëve…

ELJAZ GURI…NJË DITË AMBASADOR

Përsëri në tapet me Manea Dimitrun…

Tanimë romuni ka me vete sallën madhështore të pallatit të sportit në Bukuresht.

Ka kaluar një vit që kur stari botëror ka ngrënë tuçin në vëndin e shqipeve.

Laskos nuk i bëjnë pikë përshtypjeje ovacionet në gjuhën romune. Në sallë ka edhe plot vajza të bukura që vdesin për ta pirë një kafe me Maneon e bukur, të fortë dhe të lavdishëm.

Ato , si sirena deti, të bukura dhe të veshura në mënyrë provokuese, krejt ndryshe nga vajzat e Shtojit dhe të Shkodrës me zërat e tyre ndjellëse, kërkojnë vetëm një gjë. E kërkojnë me ngulm, pa asnjë diskutim, në mënyrë të prerë…

Koralja vigane romune kërkon që ky vetullmbërthyer nga Shqipëria që nuk i buzëqesh askujt nëpër sallë, të ndëshkohet pastër. Të ndëshkohet dhunshëm dhe me brutalitet.Vetëm me shpatulla për tokë.

Përpara gongut, shqiptari që ua kish mposhtur romunëve krenarinë e tyre një herë, vështroi një çast në një pikë; në një pikë qëndrore të pallatit. Atje ishte ambasadori i vëndit të tij, Nikolla Profi.

Nisi beteja

…Pas pak ? heshtje e tifozërisë. Ankth në sallë. Asnjë pipëtimë përveç ndonjë gulshi që dëgjohet qartë. Manea Dimitru përsëri për tokë dhe…Iliaz Guri përmbi të, si një tra që ka zënë dikë nën vete në mënyrë fatale.

Manea Dimitru nuk mund t’i luajë me shpatullat rrafsh përdhe.Fitorja marramendëse nuk ia ka marrë mëndjen Shkodranit Lasko. Ai nuk është edhe aq i gëzuar sa ç’duhej të ishte dhe kjo e ka çuditur pak edhe ambasadorin që gëzohet si një adoleshent.

” Atë ditë ishte shtrue në një spital romun Din Zhega. Nikolla Profi ma dha makinën e tij me shkue e me pa Dinin, tuj më thanë: ” Sot je ti ambasadori i Shqipnisë. Na bane të njoftun n’ tanë Rumaninë e n’ tanë botën”. Kur kam pa se sa u gëzue Dini prej vizitës teme, njatëherë jam gëzue sa ma s’bahet”.

STEPJE PARA SULMIT PËR KAMPION I EVROPËS… “LASKO, POSHTË TË PRET NJË DHURATË ? NJË …MERCEDES BENC!”

Viti 1973.Ekipi kombëtar i Shqipërisë ka shkuar të ndeshet në Helsinki në garat evropiane. Kapiteni i shqiptarve që është nga vëndi i daijve, Shkodra, tanimë nuk ka ndodnjë impresion për pallatet e lartë, rrugët e mrekullueshme dhe shkëlqimin vetëtitës.

Ai ka “ngrënë” deri tani 5 rrugë jashtë shtetit ; kapiteni Guri konkuron në peshën e tij më të bukur ? 82 deri 90 kilogram.

Trajnerë janë i mirënjohuri Bashkim Lika dhe trajneri i “Lokomotivës”, Lutfi Bagoi.

Ka ndeshje ekipore dhe individuale.Kapiteni i kombëtares shqiptare të tapeteve është futur në gjashtëshen më të mirë.Të gjashtë mundësat do të ndeshen për vënd të parë e deri në të gjashtin. Për shans, në këtë gjashtëshe, ndodhet edhe një mundës sovjetik…

Shteti komunist shqiptar, i izoluar dhe duke u përpjekur të mbahej me dhjamin e vet, e shprehte hapur gati karakterin politik të fitoreve sportive.

Edhe sot , kryeministri i Shqipërisë kapitaliste ofroi një shumë të çmëndur dollarësh kundrejt një fitoreje futbollistike me ekipin kombëtar të Greqisë…

Ndeshja mes kësaj gjashtësheje ? me një finlandez; nga vëndi organizador …

“…qi unë e shkyjshe. Por Bashkim Lika më tha që unë u dote me e hupë ndeshjen; se ndryshe, m’u dote me u ndeshë me rusin për vend të parë a të dytë.

Nuk m’u lejote m’u ndeshë me rusin se kishim porosi; për çështje politike. U dote me ia lanë ndeshjen finlandezit, por jo me tuç e as me diferencë të madhe pikësh. Ndryshe na kushtote shumë për ekipin. Se na xume vendin e 12 në Evropë”.

Heroi shqiptar nuk po sulmonte. Ai sikur po donte të vritej vetë. Finlandezët u çuditën vetëm në fillim . Ata e kuptuan të gjithë atë që askush nuk po e diskutonte më.

Ky “ciklop” nga Albania do ta ndëshkonte pa një pa dy favoritin e tyre, por kjo nuk po kishte shans të ngjiste.Humbja e realizua siç kishte parashikuar trajneri i kombëtares shqiptare, por tifozëria vëndese e salutoi heroin shqiptar si një fitimtar.

 

“Shoqata e miqësisë Finlandë- Shqipni në Finlandë kishte jo pak ndjenja anti Rusisë ,më kishte ba një dhuratë.Poshtë hotelit më pritte dhurata e pabesueshme në Shqipni, nji “benc” me kilometrazhin xerro.

Unë e rrefuzova , e kam nji në Shqipni ? ju thashë, faleminderës fort. Në darkën e përcjelljes, erdh me më përgëzue trajneri i ekipit kombëtar rus, por unë refuzova me ia dhanë dorën”.

Gjithsesi, duhet pranuar që, kjo ndërhyrje brutale e shtetit në sport, siç i është imponuar Iliaz Gurit në Helsinki, apo të tjerëve sportistë ? për të mos u ndeshur me sportistë nga shtete agresore? ka qënë një veprim së paku i llogaritur keq, për të mos thënë më shumë. Për shëmbëll ? skandaloz.

DY MEDALJE “NAIM FRASHËRI” ME MOTIVACIONE TË NDRYSHME

Iliaz Guri ashtu si edhe mjeshtri i futbollit, shkaktonjësi i zhurmave të pashterrëshme , “as” i futbollit, Sabah Bizi, më në fundi erdhën dhe iu ngjitën klubit të tyre që i kish formuar, i kish rritur, i kish afirmuar dhe që ata, për shkaqe të ndryshme, i ishin larguar ? “Vllaznisë”.

Shkaku shkatërrues i largimit të dy djemve nga Tirana, me të cilën qenë ambjentuar dhe sidomos me privilegjet, qe një fletrrufe dhe një kërkesë gati korale e punonjësve të veprës gjigande të hidrocentralit të Vau Dejës, bërë drejtuesëve të qeverisë.

Gjithsesi, sportistët cilësorë të “Partizanit” ? dhe ai ekip realisht i ushtrisë, nuk mbante sportistë të vëndeve të katërt e poshtë ? kanë patur përkëdhelje dhe ndëshkime gjithashtu, nge “zeusët”e ushtrisë; sidomos nga Gjeneral Petrit Dume.

Duke qeshur, Iliazi tregon se si një rast ai ka ngritur lart në ajër pesë pingpongistë njëherësh para syve të Petrit Dumes e të të gjith klubit.

Gjenerali fuqiplotë dha urdhër për dyfishimin e racionit të “fortë” të ushqimit, nga ai që hanin të gjithë. Laskoja e kujton adhurim dashnorin e sporteve Petrit Dumen, duke u shprehur se nuk di gjë rreth pozicionit të tij politik, nga i cili ai edhe pat humbur jetën. Iliaz Guri është njeri mirënjohës; mundsat, mjeshtrat e sporteve të rënda janë njerëz mirënjohës.

Kjo ka spiegimet e veta. Ne nuk do të merremi me ata spiegime.

Laskoja kujton me sa ngrohtësi e kanë pritur “renegatin” që rrahu Vuksanin e pamposhtshëm në klubin “Vllaznia”. Ngrohtësi, sidomos nga vetë Mirash Vuksani, Gjon Leka, Dushan Vaso, Halil Gëlqerja, Naim Pepa, Geg Gjoni dhe trajneri Qazim Elbasani.

“Të tanë sportistat hajshin 100 lekë ushqim në ditë, kurse unë, Faruk Kalleshi e Asim Belinovi ? ka 200 lekë ( Një e tridhjeta e pagës mujore të një arsimtari)”.

Pasi u stabilizua në punë një vit në Vau Dejës ? por pas një viti ? ka qënë ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Sekretarit të Parë të PPSH për Shkodrën, Muho Asllani, që ai të stabilizohej në Fabrikën e letrës, ku edhe ka marrë medaljen e dytë për një shpikje…

Është interesant një vëzhgim i karakterit të këtij njeriu. Është punëtor sot. Nuk ka mbaruar shkollë të lartë asnjëherë. Mirëpo, secili mund të bëjë një krahasim , mes tij dhe disa që kanë mbaruar fakultete dhe kanë marrë tituj në kohë të komunizmit.

Jo pak nga ata përpiqen të gjejnë nga një copë mundësi për të ngrënë diçka nga sofra e kategorisë së njerëzve të persekutuar politikisht të asaj kohe.

Laskoja është një Shkodran i vërtetë, që nuk e ka vënë nderin në ankand, as për pozitë e as për para. Kësi karakteresh prodhon qyteti ynë i lashtë me kulturën e tij klasike shqiptare…

“Muho Asllani ka kenë njeri i mirë dhe populli e ka dashtë. Ai i ka dhanë boll Shkodrës dhe sportit në Shkodër. Kur ka pasë nji vaki, mbasi ra komunizmi, i kam shkue në Durrës për kryeshëndosh. Për të tjerat, ai i din vetë; unë nuk merrem me politikë”.

Medalja e dytë e mundsit Shkodran, si një pjesë karakolli nga karakolli i kalasë së Shkodrës, është marrë në një rrethanë heroike. ” Po …edhe shokët…Jo vetëm unë…

Sidomos edhe inxhinieri Asim Gruda”, tregon menduar Laskoja duke pirë diçka buzë detit të Velipojës në dimër ? plot dallgë dhe erë e nën kërshërinë e kamarjerit të lokalit që kërkon me çdo kusht të na qerasë, gjë që e cila nuk ngjet shpesh gjetkë, si ngjet dendur në Shkodër.

Pas prishjes me kinezët, teknollogjia kineze e fabrikës së letrës u ndodh pa asistencën teknike të prodhuesëve të saj. Befas u bllokua puna e 300 punëtorëve ? qenë prishur makineritë e vakuumit.

Kinezët e kishin futur në katalogun përcjellës mos’hapjen e “kutive”. Por kutitë u hapën.Puna filloi. Nga grupi do të dekorohej dikush për novacionin.

Nga forumi më i lartë i shtetit shqiptar qe vulosur poshtë emrit të Iliaz Gurit.

A DO TË LINDIN MË NJERËZ QË TË MATIN FORCAT ME KRESHNIKËT DUKE NGRITUR GURIN NË OBORRIN E SHTËPISË NË SHTOJ?

Shanset janë për po.

“Elisi e çon. Tash ta diftoj n’fotografi…”

Thotë gjiganti veteran i tapeteve tona, qe me siguri keta caste, me ter familjen , ter Shkodrën dhe Atdheun, i ka sytë nga Pekini. Ku Guri i ri po lë një nam të ri, të ndryshëm nga i ati…

RIZA LAHI