Pas shkrirjes së ekipeve të mundjes të klubit Vllaznia pas fillimit të viteve ’90, ato u krijuan sërish në vitin 1998. Drejtuesit e klubit bënë çmos për ta kthyer këtë sport elitar dhe një vit më vonë pranë mundjes ofrohet edhe biznesmeni Ilmi Kurti që zgjidhet edhe si president i këtij sporti, post që e mban deri në vitin 2006. Pikërisht nga viti 1999, Kurti mban mend një rast shumë interesant që ka lidhje pikërisht me kampionin e botës të saposhpallur, ish- mundësin e Vllaznisë Elis Guri. “Sapo isha zgjedhur president i mundjes dhe detyra ime ishte të plotësonim ekipet e sapokrijuara me sportistë. Kishte probleme në këtë drejtim dhe natyrisht që do ia nisnim punës me fëmijët e ish-sportistëve të Vllaznisë. Për këtë arsye iu drejtuam edhe të mirënjohurit Eljaz Guri për të birin- Elisin për ta marrë në ekip Ashtu siç e ka bërë publike edhe vetë Elisi këto ditë, i ati nuk ka qenë dakord që i biri të vazhdonte atë rrugën e tij plot vuajtje dhe sakrifica të mundjes. Për rrjedhojë, ai e kishte çuar djalin me atletikën. Pas shumë bisedash, duke parë edhe dëshirën e madhe të Elisit, ia kemi mbushur mendjen të madhit Eljaz Guri dhe sot tashmë duhet të krenohemi me djalin e tij kampion Bote. Ka qenë momenti më i lumtur i asaj periudhe që kam drejtuar sportin e mundjes por nuk duhet harruar që e kam çuar Vllazninë deri në vendin e dytë në Shqipëri gjatë periudhës që unë isha president. Megjithatë më shumë se për gjithçka tjetër, më vjen mirë që kam kontribuar për Elis Gurin që ai të vazhdonte këtë sport dhe sot ne krenohemi me të”-ka thënë Ilmi Kurti për www.shkodrasport.com