Opinion nga Arbër EMIRI
Kualifikimi i ekipit tonë përfaqësues në finalet e Evropianit 2016, pa dyshim që e ka ngritur shumë stekën e futbollit shqiptar në Evropë, por njëkohësisht e ka shtuar më shumë dëshirën e mijëra të rinjve dhe të rejave që të merren me futbollin, që duhet pranuar, në Shqipëri është sporti më popullor.
Krahas skuadrës sonë përfaqësuese, edhe Skënderbeu i Korçës me kalimin në fazën e grupeve, i ka dhënë një shtysë edhe më të madhe armatës futbolldashëse, që të hedhin më shumë vështrimin tek ky sport. Por, a jemi ne momentalisht të gatshëm të ballafaqohemi seriozisht me botën me skuadrat tona të klubeve në eventet kryesore, dhe të rivalizojmë denjësisht me to? Deri diku korçarët kanë qenë një flamur për shumë skuadra, por parë me kujdes, “muri” i ngritur edhe në Korçë nuk ka qenë dhe nuk është i aftë për vazhdimësinë, pasi skuadrës korçare i mungojnë në “inventarin” e skuadrës së parë, lojtarët e ardhur nga ekipet zinxhirë të Korçës. Jo vetëm këtu, por gjithkund ku dëgjon dhe shikon emërtimin “Akademia X”, apo “Akademia Y”, menjëherë të shkon mendja tek ekipet e moshave, të cilat funksionojnë në shumicën e klubeve tona, nga ku mendohet të jenë lojtarët më të mirë të zonës, apo të atij qyteti. Por realiteti është krejt ndryshe. Në këtë drejtim jemi shumë larg skemës klasike që funksionon në shumicën e klubeve të njohura evropiane, pasi gjithçka këtu i është lënë spontanitetit dhe abuzivizmit. Një akademi futbolli që pretendon të jetë e suksesshme në tërë veprimtarinë e saj, para së gjithash duhet të ketë në përbërje ajkën e trajnerëve, të cilët para se të marrin në dorë formimin e skuadrave, duhet të kenë dorë të lirë për të marrë në përbërjen e tyre futbollistët më të mirë të grup-moshave. Pra, të jenë përzgjedhës objektivë, dhe mbi të gjitha, të kenë dorën e lirë për të marrë futbollistët më premtues dhe të aftë për vazhdimësinë. Por, si arrihet kjo, duke vazhduar akoma me avazin e vjetër ku në muret hyrëse të akademisë janë të afishuara tarifat e kripura për secilën grup-moshë, nga ku mundësia më e madhe është që në këto ranglista të kemi djem drejtorësh, kasapësh, biznesmenësh apo edhe deputetësh?! A ka njeri sot në Shqipëri që të më thotë, se, në një akademi futbolli këtu në Shqipëri fëmijët që stërviten nuk paguajnë lekë ose euro? A është kjo mënyra më e mirë e menaxhimit? Jam i mendimit se këtu fillon dështimi i të ashtuquajturave akademi futbolli. Nëse pretendojmë të ndërtojmë një klub të suksesshëm dhe të aftë që në të ardhmen të rritim të ardhurat e tij, padyshim që alfa është se tek ky klub të seleksionojmë të rinjtë dhe të rejat më të talentuar, dhe të investojmë për edukimin e tyre teorik dhe praktik. Si njohës i mirë i futbollit në training dhe në menaxhim, dhe në kontaktet e shumta që kam pasur me botën, padyshim jam shumë i deziluzionuar nga ecuria e dobët e punëve të futbollit të klubeve këtu tek ne. Empirizmi, padija dhe zilia, këto ja kanë zënë frymën atyre pak klubeve apo të ashtuquajtura akademi.
Sot më shumë se kurrë kërkohet një imazh tjetër nga ai që kemi operuar deri më sot dhe, nëse vazhdohet po kështu, atëherë jo vetëm kemi gënjyer veten, por kemi mbetur në vendnumëro. Të hapim dyert e akademive për lojtarët më të talentuar dhe të mos i shikojmë ata nga xhepat e baballarëve, por nga paraqitja e tyre në fushën e lojës dhe nga ardhmëria që mund të kenë
Ka presidentë të akademive, që nuk vijnë nga bota e sportit!
Përvoja e shumicës dërmuese e klubeve të njohura evropiane, ka treguar se përzgjedhja dhe investimi tek grup-moshat është jetike për mirëfunksionimin e klubit. Shumica e presidentëve që drejtojnë akademitë e shumta shqiptare, të cilat kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, jo vetëm që nuk vijnë nga bota e sportit, por nuk marrin mundimin më të vogël të atashojnë pranë shtabit të tyre njerëz vizionarë dhe të aftë për t’i vënë punët në shinat e duhura. Shpesh dëgjojmë emërtesa të tilla, si filani është drejtor i akademisë, tjetri është administrator dhe mendja na shkon se ata, ose kanë mbaruar shkollën për futboll, ose janë menaxherë të aftë që kanë studiuar për marketing apo në ekonomi, degë këto që të japin njohuri për menaxhimin e suksesshëm të skuadrës apo akademisë. Por, mbetesh i zhgënjyer kur njihesh me CV-në e tyre, ku përveç të qenit njeri besnik i shefit apo i presidentit, ata nuk i lidh asgjë me botën e sportit të futbollit
*Specialist futbolli