Pas humbjes javën e kaluar në Vlorë ndaj Flamurtarit, Vllaznia e basketbollit të femrave ka pësuar edhe një tjetër humbje këtë javë. Pasditen e së premtes ajo ka luajtur në kryeqytet ndaj Tiranës, një ekip ky shumë i vështirë sepse ndryshe nga shkodranet, ato pretendojnë titullin kampion.
Kuptohet që ndaj këtij kundërshtari ka qenë e vështirë për të pretenduar dhe për pasojë në fundin e takimit, kanë qenë basketbollistet bardheblu ato që kanë fituar me rezultatin 82 me 65. Ajo që duhet veçuar në këtë ndeshje është basketbollistja e Vllaznisë Imela Mala e cila ka shënuar gati gjysmën e pikëve të ekipit të saj.
Kjo lojtare ka qenë shënuese e 32 pikëve dhe jo vetëm ka qenë më e mira në rradhët e ekipit shkodran por edhe pikëshënuesja më e mirë e gjithë ndeshjes, çka tregon se këtij ekipi, pavarësisht largimeve të shumta që ka patur, nuk i mungojnë lojtaret e talentuara dhe Mala është njëra prej tyre. Dhe te mos harrojme qe ajo eshte vetem 16 vjeçe!!!
Ajo duke luajtur me vajza të tjera të reja si Rroku e ndonjë tjetër, po mundohen të japin më të mirën, natyrisht duke patur edhe mbështetjen e lojtareve me përvojë si Ingrid Dashja e Medina Mustafa, po mundohen ta mbajnë gjallë këtë ekip i cili vetëm këtë verë ka ndjerë peshën e largimit të plot 7 lojtareve.
Një situatë e tillë padyshim që e demoralizoi trajnerin Gjeçaj megjithatë ai vazhdoi punën dhe rezultatet po vijnë. Vllaznia e femrave ka marrë dy fitore dhe dy humbje në ndeshjet e para të kampionatit ndërkohë që objektivi i saj është pse jo, renditja në mes katër ekipeve më të mira të vendit dhe nëse fitojnë edhe me Studentin javën e ardhshme, kjo gjë është mëse e arritshme.
www.shkodrasport.com