Vetëm 11 vjeç por po spikat me klasin dhe talentin e tij. Konsiderohet jo më kot si e ardhmja e futbollit shkodran. E kemi fjalën për futbollistin Imran Fusha i cili edhe në kampionatin e fundit që sapo ka përfunduar, ka rënë në sy për performancën e tij të shkëlqyer dhe jo më kot Zyra Rajonale e FSHF-së e vlerësoi atë si “Lojtari i perspektivës”.
Imran ka bërë një sezon perfekt duke shënuar plot 78 gola në 24 ndeshje për ekipin e tij, pra me një mesatare prej 3.25 golash për ndeshje.
Shifra këto që flasin vetë. Ai është pjesë e ekipit “Atletik Klub Shkodra” që në sezonin e fundit shënoi në total 130 gola, por Fusha i ka shënuar më shumë se gjysmën e kësaj shifre duke treguar më së miri sesa i rëndësishëm është për të.
Nën drejtimin e trajnerit Erion Mandi, ky lojtar po rritet dita ditës nga ana profesionale dhe me siguri që do ta shohim duke i ngjitur ashtu si duhet hapat e karrierës.
Ai luan në rolin e sulmuesit dhe i ka të gjithë elementet që i duhen një lojtari tipik golashënues. Luan mirë me të dy këmbët, është i shkathët, i shpejtë. Me siguri që këtë lojtar shumë shpejt do ta shohim pse jo në ndonjë Akademi të njohur futbolli në Europë dhe atij i duhet vetëm publiciteti për t’ia mundësuar këtë gjë sepse me aftësi, nuk i lë gjë mangut asnjë bashkëmoshatari të tij jashtë vendit.
Më poshtë do të keni mundësi të ndiqni një nga golat e shkëlqyer që ai ka shënuar gjatë kampionatit të sivjetëm dhe që konfirmon më së miri talentin e këtij lojtari.
© shkodrasport.com