Nga Gjergj KOLA

Ditët e fundit, saktësisht më 24 prill është ndarë nga jeta në moshën 86 vjeçare një nga emrat e njohur të sportit të bilardos, Nail Alushi. Një lajm i tillë është konfirmuar nga faqja zyrtare e Federatës Shqiptare e Bilardos, e cila i ka përcjellur ngushëllimet familjes për humbjen e njeriut të saj të dashur.

Nail Alush Gjokiçaj ka lindur në Zues më 24 prill 1939 dhe për koinçidencë është ndarë nga jeta pikërisht në ditën e lindjes së tij, duke mos patur mundësinë ta festonte 86 vjetorin e lindjes.

Naili u lidh me sportin e bilardos që në moshën 13 vjeçare dhe më pas do të bëhej pjesë e ekipit të Vllaznisë në vitet 1958- 1960, por më pas siç dihet karriera e tij ndërpritet sepse siç dihet sporti i bilardos u ndalua të ushtrohej në Shqipëri.

Duhej të vinte viti 1991 që ai të lidhej sërish me sportin e tij të preferuar dhe madje po në këtë vit do të krijonte Shoqatën e Bilardos në Shkodër bashkë me shokët dhe kolegët e tij, Xhevatin, Ardianin, Malon etj dhe shumë shpejt do të fillonin edhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Nail Alushi do të përfaqësonte me dinjitet ekipin e Vllaznisë dhe njëkohësisht do të fitonte kategorinë e parë sportive. Ka qenë kryetar i Shoqatës “Alfred Ashiku” për shumë vite me rradhë dhe njëkohësisht edhe President Nderi i Federatës Shqiptare të Bilardos.

Ndërkohë më 4 dhjetor të vitit 2021 Nail Alushi sëbashku me Malo Ademin dhe Xhevat Sokolin përmes një ceremonie të zhvilluar në Shkodër u nderuan me titullin “Nderi i Federatës Shqiptare të Bilardos”. Ndërkohë në maj të vitit 2022 u inagurua salla e re e sportit të bilardos pranë stadiumit “Loro Boriçi” dhe Naili dha sërish kontributin e tij për rritjen e dëshirës së të rinjve për këtë sport.

Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të saj të dashur dhe njëkohësisht komunitetit të bilardos, për ndarjen nga jeta të një pjestari dinjitoz të saj. I përjetshëm qoftë kujtim yt Nail Alushi!