Dita e sotme na ka sjellë një lajm shumë të keq për volejbollin dhe sportin shkodran në tërësi. Është ndarë nga jeta në moshën 60 vjeçare ish- volejbollisti dhe ish- trajneri i Vllaznisë Adrian Mikopli (Mikopula).

Ai prej kohësh vuante nga sëmundje e rëndë dhe pavarësisht përpjekjeve për ta mundur, nuk ia dalë duke i dhënë në këtë mënyrë lamtumirën e parakohshme familjes së tij, miqve dhe kolegëve.

Adrian Mikopli ka lindur në Shkodër më 2 mars 1963 dhe me sportin do të lidhej që në moshën 13 vjeçare. Ka qenë në klasën e shtatë të shkollës “Ndoc Mazi” kur i lind ideja të merret me volejboll dhe rregjistrohet tek ekipi i të rinjve të Vllaznisë që në atë periudhë drejtohej nga trajnerët Flamur Agolli dhe Mehdi Temali. Pas katër vitesh me këtë ekip, e thërrasin me të rriturit, pikërisht në vitin 1981 kur trajner në atë periudhë ishte Mark Grimci.

Për Adrianin, kjo ishte një ëndërr e realizuar tashmë. Sepse të luaje me emra të tillë si Irfan Boriçi, Adrian Shiroka, Xhino Mjeda, Irfan Domnori, Gjon Çoba e më pas edhe me Mark Kroqin, Besnik Lishën, Simon Gugën, Fatmir Grudën, Adnan Boriçin, Frederik Trumzën, apo dhe në fund me të rinjtë e sapoardhur në ekip, Aleksander Leqejzën dhe Bernard Shtyllarin, ka qenë një kënaqësi e madhe për të.

U bë protagonist i këtij ekipi dhe kjo e lumturonte. Puna me trajnerin Grimci fillimisht dhe më pas me Petrit Juknin, dha frutet e veta sepse Vllaznia e atyre viteve u shndërrua në ekipet më të forta të Shqipërisë.

Adrian Mikopli ka marre fanellen me numrin 6 nga Irfan Boriçi dhe si rrjedhoje eshte munduar gjate gjithe karrieres se tij ta justifikoje me se miri dhe madje ta çoje edhe me lart. Protagonisti i ketij shkrimi ka fituar me Vllaznine tre Kupa Republike në vitet 1985, 1988 dhe 1989 dhe ka dalë disa herë nënkampion dhe ka fituar disa kupa të Federatës.

Një nga karakteristikat kryesore të lojës së Adrian Mikoplit ka qenë aktivizimi në disa pozicione teksa ka luajtur edhe si pasues por edhe si shuter. Shtatëlartësia e tij nuk ka qenë e madhe, vetëm 180 metra, çka për një logjike volejbolli nuk është e lartë për një lojtar shuter. Por Adriani kishte një të veçantë: kërcyeshmërinë. Ka kërcyer 3.50 m, e cila ishte ndër prekjet më të larta në volejbollin shqiptar të asaj kohe.

Adrian Mikopli e ka lënë sportin në vitin 1992. Atëherë kur me ndryshimet demokratike, shumë sporte u shkrinë edhe në Shkodër. Ishte vetëm 29 vjeç dhe u detyrua ta braktiste sportin e tij të dashur, megjithatë jo me ndonjë brengë sepse tashmë me të, kishte arritur jo pak gjëra dhe plotësuar jo pak ëndrra.

Por ndërkohë në dekadën e fundit rikthehet sërish pranë volejbollit, por këtë herë duke kontribuar si trajner, fillimisht me ekipet e moshave dhe më pas edhe me të rriturit apo dhe të rriturat. Pasionin për këtë sport, Adriani e trashëgoi edhe tek e bija- Adma e cila vazhdon me sukses ta ushtrojë atë.

Megjithatë Adriani tashmë i ka lënë të gjitha në mes sepse sëmundja e rëndë e largoi nga kjo botë shumë para kohe. Ju njoftojmë se ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit është nesër në ora 12.00. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të saj të dashur dhe njëkohësisht edhe komunitetit të volejbollit për ndarjen nga jeta të një pjestari dinjitoz të tij.