Futbolli shkodran ka humbur ditët e fundit një nga pjestarët e tij të viteve ’60, ish-mesfushorin Ramadan Komi, i cili është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare. Ndonëse karriera e tij tek skuadra e Vllaznisë nuk ka qenë e gjatë, sërish ka arritur të lërë gjurmë me lojën dhe talentin e tij.
Ata që e mbajnë mend, e kujtojnë Ramadanin si një futbollist shumë teknik i cili i ka kaluar të gjitha etapat e formimit të tij duke luajtur fillimisht me ekipet e moshave të Vllaznisë, më pas me Shpresat dhe derisa mbërriti tek ekipi i parë.
Për njëfarë periudhe, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak ka luajtur edhe me Partizanin dhe më pas është rikthyer në Shkodër për t’iu bashkuar sërish ekipit të Vllaznisë por me te nuk ka luajtur shumë sepse do të largohej shpejt nga futbolli.
Megjithatë në ato vite, ka qenë një element i rëndësishëm i skuadrës shkodrane duke luajtur krahas emrave të tillë si Zija Dani, Frederik Çapapiku, Kol Gjoni, Menduh Dedja, Hajrullah Lekaj, Sabah Bizi, Halil Puka, Nikoll Gjergji etj.
Në familjen Komi ndërkohë përpos tij ka qenë edhe i vëllai që është marrë me sport, pikërisht Ili, i cili ka preferuar më shumë gjimnastikën dhe notin, ndërkohë që për gati 30 vjet ka punuar edhe si inspektor në klubin Vllaznia. Dashurinë për sportin edhe atij ia ka injektuar pikërisht Ramadani.
Ish- futbollisti që u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë dhe me këtë rast, redaksia e gazetës “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Komi për ndarjen nga jeta. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
