Pasditën e sotme, është inauguruar palestra e re e sportit të peshëngritjes “Asim Belinovi” pranë stadiumit “Loro Boriçi”. Ajo do të jetë shtëpia e re e shtangës shkodrane, ku do të mund të stërviten peshëngritësit shkodranë.

Kjo sallë e shumëpritur nga sportistët ka një pamje realisht të bukur brenda saj dhe është një palestër në kushte moderne, që do të ndihmojë së tepërmi shtangistët shkodranë për t’u stërvitur dhe arritur rezultat e dëshiruara në arenën ndërkombëtare.

Të pranishëm në këtë ceremoni inaugurimi, ishte edhe vetë ish-peshëngritësi i njohur, Asim Belinova, teksa kjo palestër do të mbajë emrin e tij, por edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia apo edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.

Tashmë, Shkodrës i shtohet edhe palestra e sportit të peshëngritjes dhe shpresat janë të mëdha që nga gjiri i saj të dalin të tjerë kampionë të mëdhenj siç ka bërë edhe më përpara.
Maringlen ZHIVANI