Çelsi dështoi të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e djeshme kundër Valencias, të vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e drejtuar nga Frenk Lampard, humbi me rezultatin 1-0, pas një goli të shënuar nga Rodrigo për miqtë në minutën e 74’. Londinezët e kishin mundësinë të barazonin shifrat, por Ros Barklei humbi një penallti në minutën e 87’.

Pikërisht kjo penallti ka ngjallur shumë debat në radhët e anglezëve, teksa para se ta gjuante 11-metërshin Barklei, topin për ta gjuajtur e kërkuan edhe Xhorxhinjo me Uillian.

Pikërisht ky i fundit ka sqaruar gjithçka, teksa një intervistë është shprehur: “Ne e pamë se Barklei ishte i sigurt, ai na tha kështu dhe e mori atë. Doja ta bëja unë, por pashë që ai kishte besim dhe e lashë. Kështu është futbolli. Dështoi të shënojë, mund të isha edhe unë në vendin e tij ose mund të ishte edhe Zhorzhinjo. Kështu është futbolli, fitojmë të gjithë dhe humbasim të gjithë.”, u shpreh Uillian.