Pak ditë më parë COVID-19, i mori jetën ish-presidentit të Tiranës, Metush Seferi, për të cilin në klubin bardheblu shprehën ngushëllimet e tyre përmes rrjeteve sociale, por vetëm kaq.
Megjithatë ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve para ndeshjes së djeshme me Teutën, ishte fakti se ndeshja filloi pa 1 minutë heshtje, në nder të ish-presidentit të klubit, diçka që duhet të ishte bërë para.
Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re, teksa të shumtë ishin tifozët që reaguan për këtë, por reagimi që bie menjëherë në sy është ai i djalit të të ndjerit, Alban Seferi, i cili ka shprehur indinjatën e tij duke shkruar: “Fali babë, se s’dinë çfarë bëjnë.
Po mirë more përfaqësuesit aktualë të FK Tirana, mos ishte shumë për ju të mbanit një minutë heshtje e të kishit një shirit të zi në krah në emër të kupave që i ka dhënë im atë asaj fanelle plot fisnikëri.
Po kujt ia kërkojmë edhe ne… Ju as e keni idene kë përfaqësoni e jo më të keni ndonjë ndjenjë turpi. Faleminderit klubit Tirana për respektin, por ato kupa e atë histori suksesesh nuk e fshini dot”, shkruan djali i Metush Seferi.