Futbolli ka ndaluar dhe tashmë heronjtë janë ata që po shërbejnë në spitale duke luftuar me virusin që ka paralizuar thuajse të gjithë globin. Arbitri Ridigert Çokaj ka lënë menjanë stërvitjen, uniformën sportive dhe madje edhe familjen, për të luftuar. Po me përparësen e bardhë, veshjet speciale dhe të jetë pjesë e armatës së infermierëve në stafin e spitalit të Lezhës, ku vëmendja parësore është për personat e prekur me Koronavirus.

Me stemën e FIFA-s prej nëntë vitesh, 35 vjeçari tregon për “Panorama Sport” sakrificën që po bën duke jetuar larg familjes. Anësori ndërkombëtar ka edhe një thirrje për botën e sportit.


Gati një muaj pa futboll dhe pa arbitrim. Si është të izoloheni kaq gjatë?

Shumë e vështirë, me thënë të drejtën. Nuk jemi mësuar me situata të tilla dhe shpresojmë të mbarojë sa më shpejt.

Si ja bëni për formën fizike dhe a jeni ushtruar ndopak?

Në orarin që kemi të lejuar dal dhe bëj stërvitje. Por koha nuk është shumë në favorin tim sepse unë jam edhe infermier në urgjencën e spitalit, Lezhë dhe më duhet ti përkushtohem maksimalisht punës per t’u shërbyer sa më mirë njerëzve në nevojë.

A keni frikë të shtuar këtë periudhë prej situatës me Koronavirus?

Frikë nuk kam aspak sepse tashmë u bënë shumë vite eksperiencë pune. Rreth 12 vite. Gjithashtu edhe masat mbrojtëse janë marrë dhe aktualisht kemi. Kështu që na duhet vetëm të jemi të kujdesshëm dhe të shërbejmë sa më mirë.

A keni shërbyer për persona të prekur me KOVID 19 në spitalin ku punoni?

Po patjetër!

Si është rutina ditore me persona të infektuar dhe çfarë ka ndryshuar nga përditshmëria?

Ndihet frika edhe te njerëzit, sepse kemi të bëjmë me një situatë të panjohur për ne dhe për gjithë botën. Gjithashtu edhe shumë gjëra po ndryshojnë edhe te personeli shëndetesor.

Pse?

Sepse nuk është e lehtë të kesh një muaj pa takuar familjarët dhe fëmijët siç është edhe rasti im dhe shumë kolegëve të mi.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Që kemi ikur nga shtëpitë dhe jetojmë vetëm për arsye që rreziku i transmetimit të jetë sa më minimal.


Pse jeni izoluar nga familja? Ka pasur kolegë të prekur dhe po jetoni ne karantinë apo vetëm për kujdes maksimal ndaj familjes?

Vetëm për kujdes maksimal sepse ne që punojmë në urgjencë jemi çdo moment të rrezikuar.

Kur bota e sportit deri më tani është në kolaps për pagesat. Çfarë ndodh me arbitrat në këtë aspekt?

Federata është treguar shumë korrekte me pagesat dhe na ka ofruar ndihmë për ata persona që jane në nevojë.

Duke shërbyer për personat e infektuar, jeni pjesë e kategorisë që përfiton edhe shpërblim nga qeveria. A është akorduar?

Dua ta tejkaloj këtë pyetje dhe të mos ndalem. Nuk dua ta komentoj…

Si është të shërbeni për personat e infektuar nëse e thoni me gjuhën e futbollit, krahasimisht me arbitrimin?

Nëse në gjuhën e futbollit ke të bësh me emocione pozitive që të jep kjo lojë e magjishme, t’u shërbesh pacientëve të infektuar më beso se jane emocione jopozitive. Mirëpo në asnjë mënyrë nuk i transmetojmë te pacienti. Përkundrazi, u japim kurajë të vazhdueshme që ta luftojmë bashkarisht këts virus.

A keni një thirrje për sportistët në këtë periudhë?

Thirrja ime për sportistët dhe të gjithë njerëzit është që të qëndrojmë në shtëpi. Mos të bëjmë dalje të panevojshme dhe të qëndrojmë të fortë mendërisht dhe emocionalisht, siç dhe i karakterizon sportistët. Këtë luftë ne do ta fitojmë dhe shumë shpejt do i kthehemi jetës normale dhe gjithashtu lojës së magjishme të futbollit.