Andres Iniesta e mbylli karrierën e tij si futbollist në moshën 40-vjeçare, teksa këtë vendim e zyrtarizoi disa ditë më parë. Në një komunikim të fundit me mediet, spanjolli u pyet nëse dëshiron që një ditë të jetë trajner i Barcelona-s, me Iniestën që deklaroi se për të do të ishte e jashtëzakonshme.

“Të stërvitësh Barcelona-n një ditë? Është një sfidë e jashtëzakonshme për çdo trajner dhe për trajnerët që kanë qenë lojtarë këtu dhe kanë një histori pas tyre, aq më tepër. Është një sfidë e madhe, por kur mendon si trajner, gjithmonë përpiqesh të përgatitesh për gjithçka”-tha fillimisht ai.

Më tej, i pyetur nëse të bërit trajner është plani i tij për të ardhmen, Iniesta e konfirmoi.

“A duhet të filloj kursin e trajnerit të FIFA-s në Dubai? Ideja, kur u largova nga Japonia për në Emiratet, përveç që isha më afër Spanjës, ishte kjo, të filloja kursin e trajnerit atje. Plani është që të nisë një karrierë si trajner tashmë”-deklaroi ai.

Andres Iniesta ishte një nga emrat më të mirë të Barcelona-s në periudhën e artë të katalanasve.