Dy prej futbollistëve të Vllaznisë, pikërisht kapiteni Ndriçim Shtubina dhe Alsid Tafili, sot në emër të ekipit që përfaqsojnë, kanë ndërmarrë një gjest shumë fisnik. Duke shfrytëzuar faktin që ishte festa e Kurban Bajramit, ata kanë bërë kurban dhe mishin e e kanë dërguar tek shtëpia e të moshuarve në Shkodër në mënyrë që edhe ata të gëzojnë një ditë ndryshe. Një inisiativë që e kanë ndërmarrë në emër të të gjithë ekipit, futbollistëve dhe stafit teknik. Ekipi nuk ka qenë në qytetin e tyre së fundi për shkak të angazhimit në ndeshjen e rradhës të Vllaznisë, atë të luajtur pasditen e së hënës në Elbasan ndaj Partizanit dhe mëngjesin e sotëm, puna e parë që kanë bërë ka qenë ndarja e kurbanit.
Sigurisht që është një gjest për t’u vlerësuar sepse përveçse janë futbollistë të mirë po tregojnë që janë edhe shumë humanë dhe nuk është rasti i parë që ndërmarrin të tilla inisiativa. Madje, nga sa merret vesh, inisiativa të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe këtë e ka bërë të ditur kapiteni Shtubina kur ka thënë: “Kemi bërë si plan të gjithë ne futbollistët e ekipit që pas çdo ndeshje të luajtur, do të mbledhim një shumë lekësh për njerëzit në nevojë. Këtë rradhë i takoi Kurban Bajrami dhe menduam që t’i çonim tek Azili i pleqve ndërsa rradhët e tjera do t’i çojmë tek familjet e varfëra”.
© shkodrasport.com