Interi duket se është në rrugën e mbarë për të nënshkruar me mesfushorin Kristian Eriksen. Danezi ka shfaqur hapur dëshirën për t’u larguar nga Totenhemi, ndërsa është edhe në sezonin e fundit nën kontratë me londinezët.

Në këtë formë, Interi është interesuar konkretisht dhe në ditët e fundit ka intensifikuar bisedimet, derisa së fundmi sipas mediave italiane, zikaltërit kanë gjetur akordin personal me mesfushorin. Eriksen ka pranuar të nënshkruajë një kontratë deri në vitin 2024, ndërsa tashmë ekipit nga Milano i duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me anglezët.

Drejtuesit e Totenhem këmbëngulin për 20 milionë euro, por zikaltërit duke qenë se 27-vjeçari është në skadencë kontrate dhe mund të transferohet me parametër zero në verë, kërkojnë ta ulin edhe më shumë çmimin. Gjithçka mbetet për t’u zgjidhur në ditët në vazhdim dhe me shumë mundësi Interi do arrijë të mbyllë marrëveshjen, pasi në fund fare, Totenhem kërkon të përfitojë sadopak nga transferimi i danezit. /vipsport/