Duket sikur merkato nuk është mbyllur ende për Marash Kumbullën. Mbrojtësi i Veronës është duke i konfirmuar në çdo ndeshje që kalon cilësitë e tij, teksa në sfidën e fundit përballë Juventusit shkëlqeu duke u vlerësuar edhe me notën më të lartë nga ekipi i tij. Ronaldo me shokë nuk impresionuan 19-vjeçarin shqiptar, të cilit vazhdojnë t’i shtohen klubet kandidate.

Tashmë, në listë është edhe Mançester Siti, me anglezët që kishin dërguar skaut në ndeshjen ndaj Juventus. Ndërsa, së fundmi Bajern Mynih ka hedhur kandidaturën për mbrojtësin.

Megjithatë, gara më e ashpër duket se po zhvillohet brenda Italisë, ku Napoli, Inter dhe Lacio janë pretendentet kryesore. Napolitanët madje kanë arritur edhe marrëveshjen me Veronën mbi anën financiare.

Por, nëse ende nuk ka zyrtarizim është prej faktit se Kumbulla duket më i tërhequr të aktivizohet me Interin. Agjenti i tij ka pasur bisedime të shpeshta me Marrotën dhe Auzilion, teksa palët kanë një “feeling”. Tashmë, mbetet për t’u parë se cili klub do bindë më shumë futbollistin, i cili është një xhevahir i së tashmes dhe së ardhmes në repartin defensiv.  /VipSport/