Napoli, pas humbjes befasuese 4-2 të pësuar në shtëpi kundër Roma-s, nuk mund të gabojë më dhe të dielën në mbrëmje do të zbresë në fushën e “San Siro”-s për t’u përballur me Inter-in.

Edhe pse vendasit nuk janë në formën e tyre më të mirë, kjo nuk do të jetë një ndeshje aspak e lehtë për napolitanët.

Miqtë do të duhet të japin maksimumin për t’u larguar nga Milano me 3 pikët, veçanërisht pas paraqitjes së mirë të bërë nga zikaltrit në ndeshjen e fazës së parë të luajtur në fushën e Napoli-t, e mbyllur në barazim 0-0.

Por gjërat kanë ndryshuar shumë nga ai takim, me skuadrën e Luciano Spalletti-t që ka përfunduar jashtë zonës Champions League.

Pozicionimi mes katër të parëve ka qenë objektivi kryesor para fillimit të sezonit dhe dukej se milanezët e kishin siguruar, por tani është vënë në rrezik nga rënia e papritur e rendimentit.

Inter nuk po fiton më me rregullsi dhe nuk po shënon, megjithatë, mbrojtja vazhdon të mbahet. Në fakt, zikaltrit kanë pësuar vetëm 0.79 gola për ndeshje në sfidat e kampionatit që kanë luajtur në shtëpi dhe nuk ka pësuar gol në gjysmën e këtyre takimeve.

Duke parë se Napoli ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit në ndeshjet e luajtura në transfertë ka shumë mundësi që super sfida e “Meazza”-s të mos dhurojë shumë gola.

Për më tepër, në katër nga pesë ndeshjet që Inter ka luajtur me katër ekipet e para të kampionatit janë shënuar më pas se 2.5 gola për takim, një mesatare kjo që është regjistruar edhe në tetë nga nëntë ndeshjet e fundit të zikaltërve.

Ndërkohë, Napoli nuk ka pësuar asnjë humbje në 26 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur larg shtëpisë dhe nuk kanë pësuar gol në gjashtë nga shtatë transfertat e fundit.

Gjithashtu, Hysaj me shokë kanë fituar pesë ndeshjet e fundit që kanë luajtur larg shtëpisë.

Ndërsa Napoli është mundur të shtunën e kaluar, Dries Mertens ka vazhduar formën e tij të mirë dhe ka shënuar golin e tij të shtatë në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit. në total, ai ka realizuar 17 gola dhe pritet të jetë rreziku numër një për vendasit në “San Siro”./telesport/