Ne jemi vetëm në fund të prillit dhe kjo është arsyeja pse e ardhmja e Mauro Icardit është ende e mbështjellë me mjegull. Vështirë të kuptohet se ku mund të shkojë sulmuesi argjentinas, për të cilin nuk përjashtohet edhe qëndrimi tek Interi.
Bashkëshortja dhe agjentja e tij, Wanda Nara, vazhdon të thotë se burri i saj do të qëndrojë në Milano.Megjithatë, sipas “Gazzetta dello Sport”, ka mbërritur një interesim nga PSG për ish-kapitenin zikaltër. Ky është interesimi i parë në këtë sezon, sepse parizienët e kanë ndjekur Maurito edhe në të kaluarën. Menjëherë pas këtij interesimi, Inter ka ngritur “antenat” e veta. Nëse PSG kërkon Icardin, e bën sepse do të largojë Edinson Cavani.
Shumë e mundshme kjo hipotezë. “Matador” ka kontratë deri në vitin 2020 dhe, pas shumë sezonesh në “Parce des Princes”, mund të ndryshojë ambient. Kjo bëhet më e besueshme, duke pasur parasysh situatën e krijuar me të pas ardhjes së Neymar.
Kësisoji, dy klubet po mendojnë edhe për një shkëmbim: Icardi në Paris dhe Cavani në Milano. Për momentin nuk ka negociata reale, por një ide e tillë është hedhur në tavolinë, ka filluar të mendohet rreth saj.
Dy probleme kryesore dalin në pah për Interin: konkurrenca e fortë nga Atletico Madrid (klub i cili, në rastin e një lamtumire të Griezmann, ose Diego Costa, do të synonte Cavani); paga e madhe e “Matador” (aktualisht fiton 10 milionë euro në vit, çka është shumë më lart se tavani i pagave tek Interi).
Në të njëjtën kohë, klubi i pasur francez, në pronësi të sheikëve nga Katari, duhet të merret me kufizimet e “fair play financiar”. Pra, kërkon biznes të qëndrueshëm nga pikëpamja ekonomike. Ky shkëmbim me siguri do të ishte i preferuar nga të dyja palët, edhe nëse për momentin nuk është ende e qartë se cilat shifra mund të funksionojnë. Me siguri, Interi mbetet i fiksuar në kërkesat e tij për ish-kapitenin: 70 milionë euro për Icardi, pa zbritje për askënd, që mund të përfshihet në operacion./telesport/