Imazhi i Simone Inzagit që tregon tre gishtat si tripleta, kur u pyet në konferencën për shtyp nëse do të kënaqej në fundin e sezonit me dopietë, ishte kopertina e mediave italiane dhe e rrjeteve sociale.

Nuk ka asnjë zgjedhje nga ana e trajnerit, por një privilegj që të luftojë dhe të qëndrojë në garë për të gjithë objektivat. Interi kërkon që të luftojë në të trija frontet, të paktën deri sa të mundet. A është e mundur që Interi të përsërisë vitin magjik të vitit 2010 siç bëri Zhoze Murinjo?

15 vite më parë në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ishte Fiorentina përpara finales me Romën. Në kampionat, në këtë periudhë gara ishte me tre skuadra me Milanin dhe Romën me një avantazh 4 dhe 7 pikë. Në Champions në fazën e çerekfinaleve në rast se zikaltrit do të kalojnë do të përballen me Bajernin, ndërsa në vitin 2010 ishte CSKA e Moskës.

Pra me një vështrim të thjeshtë, situata sot për sot duket më e vështirë dhe ai që shqetëson më shumë është kalendari që i pret zikaltrit pas pushimit të kombëtareve. Nëse Interi do të avancojë në të gjitha kompeticionet do të luante deri në fundin e marsit dhe të majit. Në dy muaj do të ketë 17 ndeshje. Do të kishte vetëm 2 javë pa impenjim dysh, përpara ndeshjes së fundit të kampionatit dhe përpara finales së mundshme të Champions-it.

Ndoshta do të duhej edhe një ndihmë nga fati apo nga fuqi të mbinatyrshme që Interi të përsërisë historinë e jashtëzakonshme të vitit 2010. Në atë sezon Roma humbi kreun pas humbjes me Sampdorian 3 javë nga fundi i kampionatit dhe u zhvillua një ndeshje epike në gjysmëfinale kundër Barcelonës. Nëse gjithçka do të shkojë mirë, do të bëhej fjalë për një arritje madhështore. Një arritje ndoshta edhe më të madhe sesa viti 2010.

Por fakti që Simone Inzagi në konferencën për shtyp në Roterdam vendos duart përpara me numrin 3 pa u trembur, tregon se sa shumë beson në këtë skuadër dhe sa potencial ka dhe se ndoshta në vetvete mund ta arrijë edhe ai si Zhoze Murinjo.