Emërtimi i shqiptarëve në mbarë botën si “albanians” ka krijuar një rast të pazakontë në Angli ku një ekip i regbisë për femra mban emrin Old Albanian Saints. Në fakt, etiketimi i klubit nuk ka të bëjë me prejardhjen e shqiptarëve apo me faktin se është themeluar nga emigrantë nga trojet e Shqipërisë.
Klubi në fjalë është riformuar nga ekipi St. Albans RFC që përfaqëson distriktin St.Albans, e pozicionuar 32 km larg kryeqytetit të Anglisë Londër.
Në radhët e skuadrës nuk ka lojtare shqiptare apo pjesëtar në stafin teknik dhe kryesinë e klubit me origjinë shqiptare.
Pavarësisht se emërtimi i tyre ngjall kuriozitet në mendjet e shqiptarëve, klubi synon të rikthehet në ditët e tij më të mira kur konkuronte midis ekipeve më të mira të femrave në sportin e regbisë në fund të viteve ’90. Para 4 ditësh, vajzat e Old Albanian Saints fituan finalen e divizionit të juglindes së Anglisë me rezultatin 15-5 ndaj Medwayt dhe do të luftojnë për t’u ngjitur në kategorinë e dytë të në kampionatin anglez në ndeshjen play-off ndaj fituesve të zonës jugperëndimore të Anglisë.
Skuadra e vajzave ka fituar shumë trofe lokalë dhe i ka vendosur si qëllim vetes të ngjisë deri në fund shkallët drejt nivelit më të lartë të regbisë.
Ndoshta drejtuesit dhe lojtarët kanë mësuar domethënien e emrit “albanian” (shqiptar) për të realizuar me kurajo dhe vendosmëri ëndrrën e tyre, me shpirtin kurajoz që karakterizon popullin shqiptar./newsport/