Peruja ka mposhtur me penallti Rusinë në finalen e Botërorit.
Ndeshja nuk ka asgjë të përbashkët me FIFA-n. Ky është Botërori i Futbollit për të burgosurit, organizuar midis burgjeve të mbipopulluara peruane.
Disa javë përpara përballjes së shumëpritur të Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili nis më 14 qershor në Rusi, autoritetet e burgut morën shkas me rastin e kualifikimit historik të shtetit të Amerikës së Jugut, për të zhvilluar një mini-kampionat futbolli.
Kompeticioni i pazakontë sportiv zgjati rreth një muaj, me pjesëmarrjen e 16 institucioneve të vuajtjes së dënimit, ku secila skuadër mbante emrin e një shteti.
Megjithëse ndeshjet e fazës fillestare u zhvilluan në ambientet e çdo burgu, finalja u organizua në një fushë të vërtetë futbolli, në “Stadiumin Monumental” të Limës, me një kapacitet deri në 60 000 spektatorë.
Pikërisht në këtë stadium, “Inkasit”, siç cilësohet skuadra peruane, kanë luajtur disa takime të kualifikimeve në Botëror, ndërsa emocioni i të burgosurve ishte i dukshëm, pasi shkelën në të njëjtin tapet bari për finalen e tyre.