Pragndeshja me Tiranën po shoqërohet me një interesim të madh nga ana e tifozërisë shkodrane. Kjo e fundit ka ditë që ka nisur përgatitjet për këtë sfidë shumë të rëndësishme. Pritet që dekori në stadiumin “Loro Boriçi” të jetë shumë më interesant në këtë ndeshje. Kjo edhe falë mbështetjes financiare që presidenti I klubit Roberto Nava I ka dhënë grupimit të tifozëve “Vllaznit Ultras”. Tifozët e këtij grupimi po merren tashmë me këtë temë megjithatë ata nuk kanë qenë shumë dakord me orarin e zhvillimit të kësaj ndeshje. Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, ndeshja Vllaznia- Tirana do të luhet të enjten në orën 16.00.
Ky orar konsiderohet I papërshtatshëm nga ana e tifozëve shkodranë sepse është takimi më I rëndësishëm I javës së tretë të Superligës dhe ai patjetër duhet të luhet nën dritat e projektorëve. Me shumë të ngjarë ky orar nuk ndryshon megjithatë deri të hënën mund të ketë edhe ndonjë spostim. Ndeshja kundër bardhebluve pritet me interes nga ana e tifozëve shkodranë edhe për incidentin që ata kanë patur në fundin e kampionatit të kaluar, në ndeshjen e luajtur në Tiranë ku tifozët kundërshtarë ushtruan akte dhune ndaj atyre shkodranë. Pikërisht për këtë, edhe masat që do merren nga ana e policisë duhet të jenë më të mëdha për të shmangur ndonjë incident të mundshëm sepse pritet që nga kryeqyteti të mbërrijnë rreth 300 tifozë ditën e enjte. Ajo që vlen më shumë se çdo gjë në këtë pragndeshje, është fitorja e mundshme e Vllaznisë në këtë takim, çka do t’I jepte edhe më shumë zemër skuadrës e cila duket më e fortë tashmë edhe pas përforcimeve të bëra në merkato.
www.shkodrasport.com